Lansohet sistemi për sektorin ligjor 'Law Data' për Kosovë

Është lansuar sot projekti “Law Data” (Të dhënat e ligjit), që ndihmon në forcimin dhe promovimin e transparencës dhe punën më efikase të Kuvendit të Kosovës dhe institucioneve tjera shtetërore që veprojnë në sektorin e ligjor të Kosovës.

Në lansimin e këtij sistemi, ambasadori i Norvegjisë, Jens Erik Grondahl ka thënë se ky projekt ka filluar në vitin 2019, në kohën kur ai e kishte nisur mandatin e tij në Kosovë.

Grondahl ka thënë se Qeveria norvegjeze e ka mbështetur Kosovën në fushën e drejtësisë.

“Të gjithë ata që duan të gjejnë se çka është duke u bërë me ligje apo projektligje në Parlament, jam i lumtur që po prezantoj këtë projekt që shërben për çdo kënd qe në Kosovë dëshiron ta përdorë apo edhe jashtë Kosovës”- ka thënë Grondahl.

Kurse sekretari i Kuvendit, Arben Loshi tha se janë të kënaqur si administratë dhe si parlament që të kenë në shërbim një aplikacion të tillë, i cili sipas tij do të jetë transparent ndaj qytetarëve.

“Të gjithë jemi të kënaqur që ky aplikacion është bërë. Ne jemi të kënaqur ta kemi në shërbim këtë sistem që do të jetë transparent ndaj qytetarëve. Kemi zbatuar deri më tani të gjitha ligjet që janë miratuar nga parlamenti”- tha Loshi.

Sistemi “Law Data” është një platformë që ofron qasje të lehtë në të gjitha ligjet dhe aktet nënligjore të miratuara nga institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës nga viti 2008 e tutje, në një format të strukturuar dhe të konsoliduar.

Ky sistem shërben si një shërbim informacioni ligjor për profesionistët ligjorë, hulumtuesit dhe publikun në përgjithësi, duke u lehtësuar qasjen në drejtësi dhe promovuar transparencën në sektorin ligjor.