Lajçak pas takimit me Kurtin: Ne propozuam tri elemente për qetësimin e situatës në veri

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak dhe i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, janë deklaruar për media pas takimit që ata patën me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Fatkeqësisht ne jemi kthyer në Prishtinë për t’u marrë me menaxhimin e krizës në vend të normalizimit të marrëdhënieve. Ky nuk është një lajm i mirë dhe ne jemi këtu në emër të Bashkimit Evropian dhe SHBA-së së bashku me kolegun tim Gabriel për të ndihmuar në gjetjen e zgjidhjes për situatën në veri” – tha Lajçak para mediave.

Ai theksoi se në këtë takim janë përmendur propozime me tre elemente.

“Ne kemi paraqitur propozime në emër të bashkësisë ndërkombëtare që përmban tre elemente: E para: shtensionimi i situatës në terren. E dyta: zgjedhje të reja të shpejta në veri, dhe së treti: rikthimi në dialog dhe procesi i normalizimit” – ka bërë të ditur ai.

Ai e cilësoi diskutimin me Kurtin si të gjatë, të sinqertë dhe të vështirë.

“Ne patëm një diskutim të gjatë, të sinqertë, të vështirë me kryeministrin për këto pika dhe kjo thotë shumë nga sa mund të them, sepse misioni ynë sapo filloi dhe nesër do të kemi një ditë plot me takime dhe më pas do të vazhdojmë për në Beograd”- tha ai.

Përfaqësuesi i posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi  u pyet nga gzatetarët se cila ishte pjesa më e vështirë e kësaj bisede, por Lajçak nuk dha një përgjigje konkrete.

“Shikoni, nuk do të ndihmonte nëse hyjmë në detaje. diskutimi ynë ishte i hapur, i gjatë, i sinqertë, i vështirë. Ne kemi paraqitur pikat kemi pasur një shkëmbim shumë të hapur idesh dhe ky është fillimi i misionit tonë i cili zgjat dy ditë dhe vetëm shpresojmë se do të mund të shpallim lajme të mira në fund të misionit, por ende nuk jemi aty”-shtoi ai.

Që nga mesdita e 26 majit serbët lokalë të komunave veriore të Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit janë grumbulluar dhe kanë protestuar duke kundërshtuar  vendosjen e kryetarëve të rinj në objektet komunale.

Katër kryetar shqiptar u zgjedhën në krye të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës. Betimin si kryetar komune, përveç kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, i cili u betua në objektin e komunës, tre kryetarët tjerë, i Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, nuk u betuan në objektet e komunave, por në shkolla dhe zyre të bashkësisë komunale.

Në këtë situatë, intervenoi Policia e Kosovës përmes njësiteve speciale. Ata u përplasen me protestues, ndërsa u përdorë edhe gazi lotsjellës për t’i larguar turmat nga hyrjet e ndërtesave së komunave.

Tashmë në këto komuna të Kosovës ruajtjen e rendit po e bëjnë edhe trupat paqeruajtëse të NATO-s, KFOR-i.

Mirëpo, javën e kaluar ka pasur edhe përleshje mes protestuesve dhe trupave të KFOR-it ku dhjetëra ushtarë të KFOR-it kanë mbetur të lënduar.

Gjatë kësaj kohe nuk kanë munguar as sulmet ndaj mediave dhe gazetarëve ku këta të fundit janë penguar gjatë raportimit dhe po ashtu disa vetura të mediave janë dëmtuar, djegur e demoluar.

SHBA-ja dhe BE-ja vazhdimisht kanë kërkuar shtendosje të situatës në veri të Kosovës. Madje SHBA ka përjashtuar ushtrinë e Kosovës nga ushtrimi Defender 23 si pasojë për ‘mosdëgjimin’ që e ka bërë Qeveria e Kosovës.

Nën alarm: Si nisën tensionet në veri?