Foto: KALLXO.com

Fillon takimi i Kurtit me Escobar dhe Lajçak

Ka filluar takimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirolslav Lajçak dhe të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Sipas zëdhënësit të BE-së, Petar Stano, emisarët kanë ardhur në Kosovë për të rikonfirmuar kërkesat e Brukselit dhe Uashingtonit në lidhje me hapat urgjentë që duhet ndërmarrë drejt qetësimit të situatës në veri të Kosovës.

“Lajçak dhe Escobar do përcjellin thirrjet evropiane dhe amerikane ndaj Serbisë dhe Kosovës për të shtendosur  menjëherë situatën dhe për të ndërmarrë hapa që ofrojnë zgjidhje të qëndrueshme. Ndërsa platforma për zgjidhje të qëndrueshme dhe për të kërkuar zgjidhje të qëndrueshme është pikërisht dialogu i lehtësuar nga BE-ja” – ka deklaruar Peter Stano.

Vizita e emisarëve ndodh pas një jave me tensione të larta në veri të Kosovës.

Që nga mesdita e 26 majit serbët lokalë të komunave veriore të Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit janë grumbulluar dhe kanë protestuar duke kundërshtuar  vendosjen e kryetarëve të rinj në objektet komunale.

Katër kryetarë shqiptarë u zgjodhën në krye të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës. Betimin si kryetar komune, përveç kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, i cili u betua në objektin e komunës, tre kryetarët e tjerë nuk e bënë në objektet e komunave por në shkolla dhe zyre të bashkësisë komunale.

Në këtë situatë, intervenoi Policia e Kosovës përmes njësiteve speciale. Ata u përplasen me protestues, ndërsa u përdor edhe gazi lotsjellës për t’i larguar turmat nga hyrjet e ndërtesave së komunave.

Tashmë në këto komuna të Kosovës ruajtjen e rendit po e bëjnë edhe trupat paqeruajtëse të NATO-s, KFOR-i.

Mirëpo, javën e kaluar ka pasur edhe përleshje mes protestuesve dhe trupave të KFOR-it ku dhjetëra ushtarë të KFOR-it kanë mbetur të lënduar.

Gjatë kësaj kohe nuk kanë munguar as sulmet ndaj mediave dhe gazetarëve, të cilët janë penguar gjatë raportimit dhe po ashtu disa vetura të mediave janë dëmtuar, djegur e demoluar.

SHBA-ja dhe BE-ja vazhdimisht kanë kërkuar shtendosje të situatës në veri të Kosovës.

 

Nën alarm: Si nisën tensionet në veri?