Lajçak pas takimeve me Kurtin dhe Vuçiqin: Presim që palët të përmbushin plotësisht detyrimet e dialogut

Emisari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak ka deklaruar se në takimet me kryeministrin Albin Kurti në Prishtinë dhe me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në Beograd, është theksuar se ngjarjet e 24 shtatorit duhet të hetohen plotësisht dhe shtensionimi e normalizimi janë urgjentisht të nevojshëm.

Lajçak ka thënë se BE dhe SHBA-të presin që të dyja palët të përmbushin plotësisht detyrimet e tyre të Dialogut.

“Udhëtuam me emisarët e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për diskutime të rëndësishme dhe thelbësore me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Ne theksuam se 24/9 duhet të hetohet plotësisht dhe se de-përshkallëzimi dhe normalizimi janë urgjentisht të nevojshëm. Ne presim që të dy të përmbushin plotësisht detyrimet e tyre të Dialogut”- ka shkruar Lajçak në platformën “X”.

Lajçak, i shoqëruar nga emisarët e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sot ka zhvilluar vizita në Prishtinë dhe Beograd.

Në Prishtinë, Lajçak ka bërë thirrje  për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë.

“Si kryeministër i Kosovës, Kurti e ka përgjegjësi të bëjë progres në normalizimin e marrëdhënieve nëse Kosova dëshiron të bëjë përparim drejt BE-së. Këtu nënvizojmë nevojën për të vazhduar përpara me themelimin e Asociacionit pa vonesa. Pa këtë nuk do të ketë progres në rrugën europiane të Kosovës” – deklaroi ai para gazetarëve.

Tutje, Lajçak tha se i shprehën ngushëllime Kurtit për policin e vrarë më 24 shkurt në Banjskë e gjithashtu, dënuan sulmin.

Kurse në Beograd, emisari i BE-së para mediave u deklarua se e temë e vizitës ishte përparimi në zbatimin e marrëveshjes për normalizim dhe normalizim dhe shtensionimi i situatës në veri të Kosovës në dritën e ngjarjeve të fundit.

Ai shtoi se liderët kanë përgjegjësi ndaj qytetarëve të tyre dhe se si Beogradi, ashtu edhe Prishtina duhet të punojnë për shtensionim dhe normalizimin e marrëdhënieve.

Lajçak ka theksuar se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të jetë në rendin e ditës të takimit të ministrave të punëve të jashtme të vendeve evropiane të hënën dhe gjithashtu do të diskutohet nga liderët e BE-së më gjatë javës së ardhshme, në Këshillin e Europës.

“Kjo vizitë do të ndikojë drejtpërdrejt në ato bisedime. Siç e kemi thënë shumë herë, nuk ka të ardhme europiane as për Serbinë, as për Kosovën, pa normalizimin e marrëdhënieve të tyre dhe zbatimin e marrëveshjeve të miratuara për normalizim, si aktuale ashtu edhe më herët të shohim një rajon stabil, të begatë dhe evropian të Ballkanit Perëndimor, prandaj dialogu është i një rëndësie vendimtare. Biseda jonë me presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Albin Kurti do të vazhdojë në ditët në vijim”- ka përfunduar Lajçak.

Më 24 shtator, në Banjskë është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, si pasojë e sulmeve të një grupi të armatosur serb.

Në shkëmbim e sipër të zjarrit mes policisë dhe atij grupi janë vrarë edhe tre sulmues.

Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, kurse Kosova po kërkon ekstradimin të Radoiçiqit nga Serbia.

Kosova e fajëson Serbinë për sulmin e 24 shtatorit, por ajo i hedh poshtë të gjitha pretendimet.

Sulmin terrorist të 24 shtatorit e dënuan ashpër edhe ndërkombëtarët.

Takimi i fundit në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi që mbajt më 15 shtator, e që në agjendë kishte zbatimin e Marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhënieve, nuk prodhoi ndonjë rezultat.

Shefi i Diplomacisë së BE-së, Josep Borrell në një konferencë për media pati deklaruar se ishte Kurti ai që nuk e pranoi propozimin e BE-së për zbatimin e njëkohshëm të obligimeve që dalin nga kjo marrëveshje, ndërsa Vuçiq e pranoi.

Borrell tha se Kurti këmbënguli që të formalizohet, fillimisht, njohja de facto e Kosovës nga Serbia, kurse Vuçiq kërkoi themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Kurti “nuk ka qenë i gatshëm që të ecë përpara me fillimin e një procesi të besueshëm për themelimin e Asociacionit”, tha Borrell.

Kurti dhe Vuçiq, në konferenca të ndara për media, akuzuan njëri-tjetrin për mungesën e rezultateve nga takimi.

Kurti tha se “kushtëzimi i Serbisë” për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe “është shndërruar në qëndrim të emisarëve të BE-së”.

Kurse sipas Vuçiqit, Kurti, thjesht, “i shmanget formimit të Asociacionit… ky është thelbi i gjithçkaje”.

Nga viti 2011, Kosova dhe Serbia janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve.

Ndonëse palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.

Më 18 mars të këtij viti, në Ohër palët ishin dakorduar për zbatimin e asaj që njihet si Marrëveshje bazë, e që duhet të çojë drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Kjo marrëveshje, e njohur më herët edhe si propozimi evropian, kërkon nga të dyja palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, i cili ka nisur qysh nga viti 2011.

Ajo nuk parasheh njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, por kërkon prej tyre që të mos e pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese.