Lajçak: Më vjen mirë që u bënë hapa për shtendosje të situatës në veri

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, ka thënë se ndihet mirë që me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi, ranë dakord për hapat drejt shtendosje të situatës në veri të Kosovës.

Lajçak ka treguar pak për agjendën që e ka pasur gjatë javës që po e lëmë pas.

“ Biseda jonë u përqendrua në shtensionimin e situatës në veri të Kosovës, në përputhje me deklaratën e datës 3 qershor, dhe punën në drejtim të zbatimit të të gjitha marrëveshjeve të Dialogut. Më vjen mirë që ramë dakord për hapat e parë drejt këtij qëllimi”-ka shkruar ai në Facebook.

Lajçak ka përmendur edhe takimin me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, me të cilin ka thënë se shkëmbyen mendime dhe diskutuan për përgatitjet për takimin e ardhshëm në Bruksel.

Të hënën Lajçak dhe Bislimi njoftuan se janë dakorduar për hapat për shtendosjen e situatës në veri të vendit, ku po protestohet që nga maji.

Hapat e dakorduar janë për për zvogëlimin e menjëhershëm të prezencës së Policisë brenda dhe përreth ndërtesave komunale, vlerësimin e vazhdueshëm të gjendjes për zvogëlim të mëtejmë të kësaj prezence, nxitje të zgjedhjeve të parakohshme lokale si dhe vendosjen e bazës së nevojshme ligjore.

Tensionet në veri të Kosovës nisën më 26 maj 2023, kur kryetarët e rinj të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, hynë në ndërtesat komunale me asistimin e Policisë.

Për të kundërshtuar këtë, serbët kanë mbajtur protesta. Më 29 maj, nga përplasja e protestuesve me pjesëtarët e KFOR-it kanë mbetur të lënduar dhe plagosur 30 pjesëtarë të KFOR-it.

Qeveria dhe BE pajtohen për shtensionim të situatës në veri, këta janë hapat