Lajçak jep detaje për takimin me Bislimin dhe Petkoviqin
Bisedimet e sotme në Bruksel përfunduan me zotimet e palëve që deri më 22.03.2024 t’i dorëzojnë propozimet e tyre për zgjidhjen e çështjes së dinarit.
I dërguari i posaçëm të BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë se në takim u diskutua edhe për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe çështje të tjera
Ai tha se për çështjen e dinarit palët do të takohen të hënën e ardhshme ndërsa Marrëveshja do të duhet të adresohet nga liderët.
“Prita dy kryenegociatorët për të diskutuar zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe çështje të tjera, përfshirë ndikimin e vendimit në operacionet me para. Ne ramë dakord që të vazhdojmë me këtë çështje të hënën e ardhshme, ndërsa Marrëveshja do të duhet të adresohet nga liderët”- ka shkruar ai në rrjetin social “X”.
Hosted the two Chief negotiators to discuss implementing the Agreement on the Path to Normalisation and other issues, incl. the impact of the decision on cash operations. We agreed to continue on this issue next Monday, while the Agreement will need to be addressed by the leaders pic.twitter.com/y6B6P42h0g
— Miroslav Lajčák (@MiroslavLajcak) March 19, 2024
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka njoftuar se bisedimet e datës 19.03.2024 në Bruksel përfunduan me zotimet e palëve që, deri më 22.03.2024, t’i dorëzojnë propozimet e tyre për zgjidhjen e çështjes së dinarit.
Për javën e ardhshme ai paralajmëroi një takim tjetër për të parë nëse dy propozimet e tyre mund të shndërrohen në një të vetëm.
“U dakorduam që deri të premten secila palë të sjellë propozimin e saj se si e sheh zgjidhjen afatshkurtër dhe se si të fillohet zgjidhja afatgjate e dinarit. Dhe pastaj javën e ardhshme do të mblidhemi sërish të diskutojmë se a mund të gjejmë një hapësirë që këto dy propozime Të konvergjojnë drejt një propozimi të vetëm që kishte me qenë i pranueshëm për palën kosovare”- u shpreh ai pas takimeve.
Bislimi tha se duan të dëgjojnë edhe nga pala serbe se a janë të përkushtuar për zbatim të marrëveshjeve.
Ndërsa shtoi se pala serbe i ka “ikur” kësaj pyetje.
“Iu bishtnua përgjigjes disa herë, në fund tha se për Serbinë është problematike marrëveshja pasi ka nene të cilat merren me statute, sidomos ato nene që tregojnë për respektimin e integritetit territorial, për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe të ngjashme. Në fakt, na u tha që Serbia nuk e njeh marrëveshjen si të tillë. Ai tha se për Serbinë është e pamundur të nënshkruhet një marrëveshje me Kosovën. Kur pastaj vetë pala serbe iu referua marrëveshjes së vitit 2013 të cilën e kishin nënshkruar, por ai tha se ne nënshkruajmë marrëveshje vetëm aty ku s’diskutohen statutet” – ka thënë Bislimi.