I dërguari i Posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, dhe dy negociatorët, Skender Hyseni nga Kosova dhe Marko Gjuriq nga Serbia.

Lajçak jep detaje për takimin e nesërm në Bruksel mes ekspertëve të Kosovës dhe Serbisë

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak ka bërë të ditur se pala kosovare dhe ajo serbe, të enjtën në Bruksel do të diskutojnë për lehtësirat financiare për komunitetin jo-shumicë.

Sipas Lajçak kështu kanë rënë dakord presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Lajcak nuk e ka përmendur Asociacionin si temë, por duket se ka gjetur një term zëvendësues për këtë duke iu referuar si “aranzhime për komunitetin jo-shumicë”.

“Presidenti Vuçiq dhe Kryeministri Hoti ranë dakord se negociatorët e tyre do të ndjekin zgjidhjen e kërkesave dhe rregullimeve të ndërsjella financiare për komunitetin jo-shumicë. Të dy temat janë shumë komplekse. Kjo është arsyeja pse ne do të diskutojmë pretendimet financiare nesër dhe aranzhimet për komunitetin jo-shumicë në ditët në vijim”, ka shkruar Lajçak në Twitter.

Kosova dhe Serbia do të zhvillojnë takim në Bruksel të enjten, në nivel të ekspertëve.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka mohuar që në takimin e nesërm në Bruksel do të diskutohet për Asociacionin.

Në një tryezë të organizuar nga KDI për dialogun, Hoti tha se do të diskutohet për çështje ekonomike.

“Nesër ne Bruksel diskutohet për çështjen e obligimeve financiare, pensionet e viteve të 90-ta, reparacionet e luftës, dëmet e luftës, është një listë e gjatë e gjerave të do të diskutohen nesër”, tha Hoti.

Kurse, presidenti Hashim Thaçi  ka reaguar duke e konsideruar si të rrezikshëm këtë takim në të cilin sipas tij do të diskutohet për Asciacionin e Komunave Serbe.