Lajçak: BE ka sanksione të gatshme edhe për Serbinë

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, është deklaruar për media pas takimit që pati me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Në këtë deklarim ai është pyetur edhe nëse do të ketë sanksione për Serbinë, pas situatës që është krijuar në mes dy vendeve fqinje.

“BE-ja e ka bërë të qartë se i ka sanksionet gati për Serbinë dhe ato do të implementohen nëse vendet anëtare vendosin që Serbia nuk i bindet BE-së” – ka thënë Lajçak duke shtuar se kjo është në dorën e shteteve anëtare.

Tutje ai njoftoi se nesër do të jetë në Beograd.

“Dëshira ime është të mos kemi sanksione ndaj Kosovës e Serbisë. Dëshira ime është të mos kemi sanksione e të kemi dy palët në Bruksel e të negociojnë si të zbatojnë marrëveshjet” – tha ai.

Lajçak sot u takua edhe me të parën e shtetit, presidenten Vjosa Osmani, e cila tha se e njoftoi përfaqësuesin special se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara që së bashku me partnerët ndërkombëtarë t`i tejkalojnë sfidat aktuale dhe se Kosova ka demonstruar vullnet për deeskalim të situatës në veri.

Tensionet në veriun e Kosovës nisën kur kryetarët e rinj të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, hynë në ndërtesat komunale nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.

Qytetarët e komunitetit serb e kundërshtuan këtë dhe që atëherë po zhvillojnë protesta duke kërkuar tërheqjen e kryetarëve të rinj dhe të njësive speciale policore.