Ky është 'Ushtari më i mirë 2022 i FSK-së'

Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës ka përmbyllur garën ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2022” që u mbajt sot në kazermën “Adem Jashari” të FSK-së në Prishtinë.

Ushtari Haxhi Krasniqi, është shpallur “Ushtari më i mirë 2022 i FSK-së” dhe pas tij u radhitën ushtarët Ejdon Mulaku dhe Qëndrim Asllanaj.

Ndërsa, ushtari nga Kandaja, Simon Buies, u shpall ushtari më i mirë ndërkombëtar, i përcjellë nga ushtari amerikan, Jaron Springer dhe ushtari turk, Oliver Verrete.

Zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, i cili ishte i pranishëm në këtë ceremoni, theksoi se qëllimi primar i FSK-së në garën e ushtarit më të mirë është rritja e aftësive ushtarake, fitnesit dhe zgjedhja e më të mirit.

“Pjesëmarrja e garuesve nga ushtritë e vendeve partnere në këtë garë e dëshmon shkallën e lartë të bashkëpunimit me vendet partnere dhe që FSK është forcë profesionale e disiplinuar, motivuar dhe kontribuuese e sigurisë në regjion dhe me gjerë”, tha Syla

Në garën “Ushtari më i mirë 2022” morën pjesë 39 garues nga Kosova, Shqipëria, Kroacia, Maqedonia e Veriut, Kanadaja, Iowa (SHBA), dhe Turqia, si pjesë e KFOR-it.

Sipas komunikatës së Ministrisë së Mbrojtjes, pjesëmarrësit garuan në disiplinat si: testi fizik, njohuri të përgjithshme, gjuajtje me armë të gjata, navigim tokësor, kalimi i poligonit të besueshmërisë, hedhja e granatës, ndihma e parë, vëzhgimi i terrenit dhe marshimi.