Mehaj: Kërcënim për komunitetin serb janë grupet kriminale të dirigjuara nga Beogradi

Përmes një reagimi, ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj ka thënë se si ngritja e kapaciteteve ushtarake serbe në kufirin me Republikën e Kosovës, ashtu dhe vendimi i pjesëtarëve të komunitetit serb për largim nga institucionet e Kosovës janë veprime me tentim destabilizimin e vendit.

“Dënojmë një çasje të tillë që qartazi është në kundërshtim me frymën e dialogut e po ashtu me realitetin e ri të Kosovës. Këto veprime janë pengesa e vetme që të arrihet një marrëveshje që do lejonte të dyja shtetet të ecin para për t’u integruar në Bashkimin Evropian” – thuhet në reagimin e ministrit.

Përmes këtij reagimi, Mehaj ka potencuar se ky institucion ashtu si dhe organet e tjera të rendit, mbetet e përkushtuar për të garantuar sovranitetin e vendit si dhe mbrojtjen e jetës së gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës pa dallim etnie.

“I vetmi kërcënim për komunitetin serb janë individët dhe grupet kriminale serbe të dirigjuara nga Beogradi, veprimtaria e të cilëve duhet ndalur sa më parë, dhe për këtë jemi në koordinim të vazhdueshëm me Policinë e Kosovës, si dhe me misionin e KFOR-it” – thuhet në reagimin e Mehajt, i cili u ka bërë thirrje qytetarëve e posaqërisht atyre të komunitetit serb që të mos manipulohen.

“Prandaj, apelojmë të gjithë qytetarët e vendit e specifikisht qytetarët tanë të komunitetit serb, që të jenë vigjilent, të mos manipulohen dhe të mos bien pre e dezinformatave që janë pjesë e skenarëve të orkestruar pandërprerë nga Serbia dhe mekanizmat e saj të njohura e të praktikuara edhe në të kaluarën. Republika e Kosovës dhe institucionet e saj janë në shërbim të të gjithë qytetarëve, andaj angazhimi në to dhe respektimi i tyre është përgjegjësia jonë e përbashkët” – shtoi ministri i Mbrojtjes.

Që nga 1 nëntori, autoritetet në Kosovë kanë thënë se qytetarëve që kanë automjete me targa ilegale (KM), do të marrin fletëqortime. Kjo është faza e parë e planit prej tri etapash, që Qeveria e Kosovës ka thënë se do të zbatojë nga 1 nëntori deri më 21 prill të vitit 2023, sa i përket riregjistrimit të automjeteve në targat RKS (Republika e Kosovës).

Faza e dytë parasheh gjobë prej 150 eurosh për shoferët që kanë automjete me targa serbe, ndërkaq në fazën e tretë do të përdoren targa provuese. Pas 21 prillit, sipas Qeverisë, nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve që nuk kanë targa RKS.

Mirëpo, qytetarët serbë po kundërshtojnë zëvendësimin e targave ilegale të automjeteve me targat RKS (Republika e Kosovës), duke kërkuar gjithashtu formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në anën tjetër, Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë është njëra prej marrëveshjeve më të diskutueshme në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, për të cilën ishin pajtuar palët në kuadër të procesit, por që nuk është zbatuar, pasi u vlerësua se disa pika të saj janë në kundërshtim me Kushtetutën e Repubikës së Kosovës.

Policia e Kosovës ka konfirmuar se edhe sot ka pasur paraqitje të dorëheqjeve të punonjësve policorë të komunitetit serb në pjesën e veriut të vendit, në zonën e drejtorisë rajonale të Mitrovicës Veriore.

Qytetarët serb sot u mblodhën në sheshin “Car Llazari” në Mitrovicën e Veriut në shenjë proteste ndaj zhvillimeve të fundit në veri të vendit.

Lidhur me këtë situatë reagime të ndryshme gjatë dy ditëve të fundit ka pasur edhe nga krerët e institucioneve, Kryeministri i Kosovës, Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, opozita e madje edhe nga ndërkombëtarët.

Gjatë ditës së djeshme pasi Lista Serbe ka njoftuar se janë larguar nga institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës ka reaguar edhe Përfaqësuesi i Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Lajçak ka thënë se është plotësisht dakord me zëvendëssekretarin e NATO-s, Mircea Geoana, lidhur me deklarimin e këtij të fundit se Kosova dhe Serbia duhet të parandalojnë përshkallëzimin e situatës.

Po ashtu, me ftesë të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, kabineti qeveritar sot ka mbajtur një takim që në rend të ditës kishte diskutimin për situatën aktuale dhe zhvillimet e fundit në vend.

Krejt çka u tha sot në protestën e organizuar në Mitrovicën e Veriut