Foto: Armend Mehaj/Facebook

Dita e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Mehaj uron homologun shqiptar

Me rastin e Ditës së Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj ka uruar ministrin e Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë, Niko Peleshin dhe Gjeneral Arben Kingji i cili është shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi nga Ministria e Mbrojtjes së Kosovës.

Sipas Minsitrisë, në tekstin e urimit është thënë se pas Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 Nëntor 1912, vendimi për themelimin e Ministrisë së Luftës dhe Ushtrisë Kombëtare Shqiptare, më 4 dhjetor 1912, është dhe mbetet një ndër datat dhe ngjarjet më të mëdha historike, jo vetëm për Shqipërinë Mëmë, por edhe për të gjithë shqiptarët e mbetur jashtë kufijve të saj.

“Sot, Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, përmbushin me dinjitet misionin e tyre si shtet anëtar i NATO-s, në betejën e vazhdueshme për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit anembanë Botës. Dhe për ne, fakti që Shqipëria është pjesë e NATO-s përbën nder dhe krenari, poaq sa edhe krah të fortë në rrugëtimin e Republikës së Kosovës në proceset integruese në organizatat ndërkombëtare të mbrojtjes dhe sigurisë” – thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës.

“E ardhmja e forcave e tona qoftë në procesin e integrimeve euroatlantike , qoftë në zhvillimin e avancimin e aftësive e kapaciteteve ushtarake, është natyrshëm i përcaktuar nga niveli i koordinimit dhe sinkronizimit të objektivave tanë” – thuhet tutje në njoftim.

Sipas Ministrisë, është thënë se sukseset e përbashkëta të dy vendeve do të forcohen edhe më shumë në misione të përbashkëta , përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve tjerë.

“Urime Dita e Forcave të Armatosura me kujtimin dhe nderimin për të gjithë bijtë e bijat e kombit tonë që derdhën mund, gjak e djersë për të mundësuar krijimin dhe zhvillimin e shtetit shqiptar këto 110 vite pavarësi” – përmbyllet njoftimi i ministrisë.