Policia e Kosovës - Foto: KALLXO.com

Pasi i ndalohet djali, eprori i Policisë së Kosovës shkon në stacion për sqarime

Të dielën një person është shoqëruar në Polici pasi i njëjti dyshohet se nuk kishte zbatuar urdhrat policorë e madje kishte vënë në funksion një dron pa marrë leje paraprakisht nga institucionet relevante.

KALLXO.com mëson se bëhet fjalë për djalin e nënkolonelit të Policisë së Kosovës, Haxhi Krasniqit, e i cili është ushtar në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Fitim Krasniqi sipas babait të tij Haxhi Krasniqit, të dielën ka marrë pjesë në një festë të një ekipi futbollistik. Siç sqaron edhe nënkoloneli Krasniqi i njëjti posedonte një dron e për përdorimin e tij i ishte refuzuar kërkesa.

“Ai ka pasur një telashe në shesh, në një festë të Plisave edhe e kanë dërgu në stacion policor. Unë jam interesuar si prind edhe asnjë ndikim nuk kam pasur. Është konfiskuar droni dhe është dërguar në Agjencion Civil por nuk kam pasur asnjë ndikim, asnjë”, thotë Krasniqi për KALLXO.com.

I njëjti ishte shoqëruar në Polici ndërsa nënkoloneli kishte kërkuar sqarime nga kolegët e tij se pse djali ishte dërguar në stacion.

“Djali më ka thirrë më ka thënë se është arrestuar dhe nuk e di pse, më ka kërku një avokat. Në stacion kam shku me tesha civile me të cilat isha duke punuar në fshat. I kam pyet kolegët a është djali aty dhe a është arrestuar dhe çka ka bërë që është në stacion. MË kanë treguar që bëhet fjalë për dron dhe që është kompetencë e aviacionit civil dhe se lëndën e kishin transferuar atje bashkë me dronin e konfiskuar”, vazhdoi tutje Krasniqi.

Ai tha se është mbajtur pa të drejtë brenda Stacionit të Policisë ditën e diel.

“Edhe nënkoloneli edhe majori janë prindër fillimisht. Zyrtarët e kanë mbajt më shumë se 3 orë për kundërvajtje që nuk mund të mbahet, i tregon çka ka qysh është puna por krejt zyrtarët policor apo krejt policia nuk munden me dënu apo me këshillu djalin tim për shkelje sa unë. Jam prind i përgjegjshëm nuk i toleroj kundërvajtjet e tilla”, tha tutje Krasniqi.

Në anën tjetër në lidhje me këtë rast KALLXO.com ka kërkuar një sqarim edhe nga ana e Policisë Rajonale të Prishtinës. Në një përgjigje për KALLXO.com të njëjtit kanë thënë se droni është konfiskuar.

“I njëjti është shoqëruar në stacionin policor për të sqaruar nëse ka pasur lejen përkatëse për të operuar me Dron dhe si i tillë është proceduar për trajtim të mëtejmë pranë Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Policisë për KALLXO.com.