Gjykata Supreme e Kosovës - Foto: KALLXO.com

Ky është paneli i Gjykatës Supreme që mori vendimin për lirimin e Naser Pajazitajt

Naser Pajazitajn, i dënuar për vrasjen e Donjeta Pajazitajt, Gjykata Supreme e ka liruar nga akuzat për vrasje.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar gjatë ditës zëdhënësja e Gjykatës Supreme, Antigona Uka.

Paneli I cili ka marrë këtë vendim përbëhet nga Valdete Daka (kryetare e panelit), Agim Maliqi (gjyqtar referues) dhe Rasim Rasimi.

Ndërkaq, Gëzim Kollqaku, avokati i Naser Pajazitajt, ka thënë se klienti i tij është liruar pas kërkesës për lirim për shkak të mungesës së provave dhe disa shkeljeve te cilat janë bërë gjatë procedurës gjyqësore.

Në një bisedë me KALLXO.com avokati Kollqaku ka thënë se klienti i tij Naser Pajazitaj i ka telefonuar nga burgu vëllait të tij dhe i ka thënë ta marrë nga burgu për shkak se i është aprovuar kërkesa e avokatit për lirim.

Naser Pajazitaj ishte akuzuar për vrasje të rëndë të Donjeta Pajazitajt në vitin 2015.

Kujtojmë që maj të vitit 2021 Gjykata në Ferizaj në rigjykim kishte dënuar me burgim të përjetshëm të akuzuarin Naser Pajazitajn.

Sipas aktakuzës së vitit 2017, përderisa Donjeta Pajazitaj ishte duke shkuar në punë, i akuzuari Naser Pajazitaj ishte ndalur me veturë dhe e kishte marrë Donjetën duke e dërguar te vendi ‘Kroi i Lajthisë’.

Tutje, sipas aktakuzës, i pandehuri me dy plumba në kokë e kishte vrarë e më pastaj për të humbur gjurmët e viktimës, e kishte mbuluar me drunj dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes.

Por për këto akuza, Gjykata e Pejës në mungesë të provave në vitin 2018 e kishte liruar Naser Pajazitajn nga akuzat, mirëpo me ketë vendim nuk ishte pajtuar Gjykata e Apelit, e cila kishte vendosur që çështjen ta kthejë edhe një herë në gjykim.

Pas rigjykimit Pajazitaj ishte dënuar me burgim të përjetshëm, vendim ky i cili në muajin korrik të vitit 2019 edhe ishte vërtetuar nga Gjykata e Apelit.

Më pas, Gjykata Supreme në nëntor të vitit 2019 i kishte prishur të dy vendimet e Gjykatës së Pejës, edhe atë të lirimit edhe atë të dënimit me burgim të përjetshëm.

Në këtë situatë, Gjykata e Pejës ishte përjashtuar nga gjykimi dhe lënda i ishte deleguar Gjykatës së Ferizajt.