Kuvendi përsëri pa kuorum për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare

Kuvendi i Kosovës në seancën e mbajtur më 07.03.2024 nuk ka pasur kuorum të mjaftueshëm për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

Pasi provoi të hedh në votim dy prej tyre, kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca konstatoi se nuk ka kushte për trajtimin e tyre.

Ai tha se këto pika i barten një seance tjetër kurdo që vendos Kryesia e Kuvendit.

Fillimisht Kuvendi pati kuorum për të hedhur në votim marrëveshjen e kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar, por e njëjta nuk u miratua për shkak se katër prej deputetëve të pranishëm nuk morën pjesë në votim.

Më pas për të dytën marrëveshje ndërkombëtare të pranishëm ishin vetëm 79 deputetë.

Nga partitë opozitare, deputetët e PDK-së nuk kanë marrë pjesë në votim, ndërsa ata të LDK-së kanë votuar kundër.

Pro marrëveshjes ndërkombëtare që u hodh në votim, kanë qenë deputetët e AAK-së.

Në rend të ditës në seancën e sotme ishin të përfshira 11 marrëveshje ndërkombëtare.

Votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare ishte bartur në këtë seancë, pasi as në seancat e mbajtura më 08.02. 2024 dhe 15.02.2024 nuk ka pas kuorum të mjaftueshëm për votimin e tyre.

Në nëntor të vitit të kaluar, Kuvendi i Kosovës ka miratuar marrëveshjet ndërkombëtare të cilat kishin mbetur në agjendën e legjislativit për muaj me radhë.

Miratimi u tyre u bë i mundshëm me pjesëmarrjen në votim të deputetëve nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Ndërkaq, Partia Demokratike e Kosovës nuk patën marrë pjesë në votim pasi sipas tyre, Kosova është ende nën masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian.

Votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvendin e Kosovës, u pat kushtëzuar me “shpërbërjen e Parlamentit dhe shkuarjen e vendit në zgjedhje”, nga një pjesë e opozitës, e në anën tjetër me mos përgjigje në pyetjet parlamentare nga ana e ekzekutivit, deri në miratimin e ujdive.