Kuvendi miratoi vendimin për zgjatjen e masave emergjente në furnizimin e energjisë prej 30 ditësh

Me 61 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi ka miratuar vendimin e Qeverisë për zgjatjen e masave emergjente në furnizimin e energjisë prej 30 ditësh.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka arsyetuar vendimin e Qeverisë për zgjatjen e këtyre masave.

Rizvanolli tha se aktualisht prodhimi i energjisë është më stabil se sa në periudhën fillestare të shpalljes së masave emergjente, mirëpo mundësia që Termocentralet “A” dhe “B” të pësojnë një defekt, sipas saj duhet të konsiderohet ende si rrezik.

“Aktualisht prodhimi i energjisë elektrike është më stabil se sa në periudhën fillestare të shpalljes së masave emergjente, mirëpo vjetërsia e stabilimenteve të Termocentraleve “A” dhe “B” përkatësisht mundësia që ato të pësojnë defekte në çdo moment, duhet të vazhdojë të konsiderohet si rrezik i lartë për sigurinë e furnizimit me energji elektrike”, ka thënë Rizvanolli.

Ministrja theksoi se situata aktuale në Ukrainë e shton pa parashikueshmërinë e çmimit të energjisë elektrike.

“Gjithashtu situata e krijuar në Ukrainë e shton edhe më tejë pa parashikueshmërinë e çmimit dhe furnizimit me energji elektrike në tregjet evropiane dhe kjo mund të reflektohet edhe në Kosovë. Pushtimi i Ukrainës nga Rusia ka tronditur tregjet globale gjatë ditëve të fundit duke shkaktuar trazirë të forcave, rritje të çmimit të naftës dhe të gazit dhe duke shkaktuar pasiguri shtesë e cila tashmë është jashtë ekuilibrit në mbarë botën”, ka theksuar Rizvanolli.

“Sanksionet që po i vendosin Rusisë do të kenë ndikim direkt në energji, këtë besoj tanimë e kemi të qartë dhe kanë ndikim edhe në çmimin edhe të gazit edhe të energjisë elektrike”, ka shtuar ajo.

Rizvanolli shpjegoi se çmimet në bursën hungareze po vazhdojnë të rriten.

“Çmimet në bursën hungareze vazhdojnë të rriten, kur vetëm nga e hëna e kaluar me datë 21 shkurt 2022 çmimi për megavatë orë ka pësuar një rritje prej 144% nga 133.62 euro në 338.02 euro. Ndërsa për periudhat e pikut të konsumimit të energjisë, çmimi ka pësuar një rritje prej 98% nga 169.24 euro për megavatë orë në 335.86 euro për megavatë orë”, ka shpjeguar ajo.

Tutje ajo ju ka bërë thirrje deputetëve të votojnë vendimin e Qeverisë për vazhdim të masave.

“Këto çmime vazhdojnë të rriten në rast të vazhdimit dhe përkeqësimit të luftës në Ukrainë. Ju bëjë thirrje që ta miratoni vendimin e masave për vazhdimin e masave emergjente në sektorin e energjisë”, ka shtuar Rizvanolli.

Partitë opozitare PDK dhe LDK nuk e kanë mbështetur votimin e këtij vendimi duke theksuar se në Kuvend kishin prezantuar rezoluta përmes të cilave kërkonin të mos shtrenjtohej energjia elektrike.

Ndërkaq grupi parlamentar i AAK-së ka mbështetur votimin e këtij vendimi duke iu referuar situatës emergjente.

Më 23 shkurt të këtij viti, Qeveria ka marrë vendim që të zgjatet edhe për 30 ditë gjendja emergjente e furnizimit të energjisë elektrike.

Zëvendësministri i Ekonomisë Mentor Arifaj gjithashtu kishte theksuar se situata në Ukrainë mund të ndikoj që të ketë rritje të çmimeve të energjisë.

“Situata e krijuar në Ukrainë e shton edhe më tej pararikueshmërinë e çmimeve të energjisë, në tregun evropian të energjisë dhe kjo mund të reflektoj edhe në Kosovë”, ka thënë ai.

Ndërkaq, më 24 dhjetor, Qeveria e Kosovës pati shpallur 60 ditë gjendje emergjente për furnizim me energjinë elektrike.

Më 8 shkurt të këtij viti, Zyra e Rregullatorit ka vendosur që konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovat në muaj nuk do të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike, pra të njëjtit do të paguajnë me tarifat aktuale.