Ilustrim

Kuvendi mban nesër seancë të jashtëzakonshme lidhur me kërkesën për ngritjen e koeficientit të pagave

Kuvendi i Kosovës pritet të mbajë nesër seancë të jashtëzakonshme në lidhje me nevojën për ngritjen e koeficientit të pagave.

Kërkesa për këtë debat parlamentar ka ardhur nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Shefi i deputetëve të AAK-së, Bensik Tahiri, ka thënë se përmes një rezolute kërkojnë ngritje të koeficientit të pagave nga 105 në 129 euro.

Qeveria e Kosovës më 1 shkurt ka prezantuar vlerën e koeficientit mbi të cilin do të llogaritet paga e 80 mijë punëtorëve të sektorit publik. Vlera e koeficientit për vitin 2023 do të jetë 105 euro ndërsa në vitin 2024 sipas Qeverisë do të jetë 110 euro.

Përveç kësaj seance të jahtëzakonshme, e cila pritet të mbahet nga ora 12:00, nesër deputetët paraprakisht do të shqyrtojnë pikat e papërfunduara nga seancat e kaluara.

Si pika të papërfunduara nga seancat e mbajtura në shtator dhe tetor janë Projektligji për ndryshimet në Kodin Penal dhe Projektligji për kodin e Procedurës Penale.

Rritja e koeficientit në 129 euro është kërkesë e AAK-së prej kur është caktuar vlera e koeficientit nga Qeveria.

Në qershor të këtij viti, AAK kishte ftuar ministrin e Financave në interpelancë në Kuvend lidhur me këtë kërkesë.

Rendi i ditës

11. Shqyrtimi i rekomandimit të Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti për shkarkimin e kryesueses dhe anëtarët e Bordit të Komisionit për Pavarur për Miniera dhe Minerale,
12. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-125 për Pronën Publike,
13. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-168 për Prokurorinë Speciale,
14. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-188 për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës,
15. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/-L-187 për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit nr.08/L-032 të Procedurës Penale,
16. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-194 për Sistemin Qendror të Evidencës Penale të Kosovë,
17. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-245 për artin dhe kulturën,
18. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-241 për vlerësimin strategjik mjedisor,
19. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-242 për performancën energjetike të ndërtesave,
20. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-246 për administrimin e ndërtesave dhe lagjeve të banimit në bashkëpronësi,
21. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-240 për Agjencinë e Regjistrimit Civil.