Kuvendi i Kosovës mban dy seanca këtë javë

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vendosur sot për mbajtjen e dy seancave këtë javë, më saktësisht ditën e enjte.

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila tha se seanca e parë do të mbahet me fillim nga ora 10:00, në rend dite të së cilës do të jenë pikat e pa përfunduara të seancës së javës kaluar.

“U mor vendimi që me 21 shtator, të enjten në ora 10:00 të vazhdohet me pikat e pa përfunduara nga seanca plenare e cila edhe hapi punimet e këtij sesioni vjeshtor. Janë gjashtë votime që janë në agjendë për të enjten”- tha Kusari Lila.

Ajo shtoi se seanca tjetër do të mbahet nga ora 13:00, në të cilën do të shqyrtohet propozimi i opozitës për emërimin e anëtarëve në Komisionin Hetimor Parlamentar në lidhje me rezervat shtetërore.

“Më pas do fillohet një seancë e veçantë sipas kërkesës së 40 deputetëve për propozimin për anëtarë të komisionit hetimor parlamentar lidhur me procedurat e menaxhimit dhe furnizimit me rezerva shtetërore. Kjo seancë do të fillojë në ora 13:00 si seancë e veçantë dhe propozohen emrat e anëtarëve nga grupet parlamentare”- tha Kusari-Lila.

Më tej, deputetja u shpreh e shqetësuar në lidhje me votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

“Në seancë e 28 korrikut e cila do të vazhdojë tash më 21 shtator, janë pesë marrëveshje ndërkombëtare te cilat ju shtohen edhe shtate të tjera të cilat janë në pritje”- deklaroi ajo.