Kuvendi fillon seancën me një minutë heshtje për viktimat e Holokaustit

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë mbajtur një minutë heshtje për viktimat e kampit të Aushvicit në përvjetorin e kujtimit të Holokaustit.

Nderimi u bë me kërkesë të kryetares së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Mimoza Kusari- Lila.

“Sot dëshiroj që më 27 janar t`i bashkohemi të gjitha shteteve të botës të cilat 27 Janarin e kanë shpallur ditën e përvjetorit të kujtimit të Holokaustit, kjo ditë përkujtohet në krejt botën si ditë që shënon çlirimin e kampit famëkeq Aushvic, prandaj ftoj deputetët për një minutë heshtje në nderim të gjashtë milionë viktimave të cilat humbën jetën në këtë kamp”, ka thënë Kusari-Lila.

Kuvendit po mbanë sot seancë të jashtëzakonshme, me një pikë të rendit të ditës-debat parlamentar për gjendjen me pandeminë COVID-19.

Kosova shënoi të mërkurën rekord të rasteve me COVID-19 që nga shpërthimi i pandemisë në vend.