Kush ishte fajtor që Telekomi shkoi në Arbitrazh?

Ish-kryeshefi i PTK-së, Shyqyri Haxha, në emisionin “Kallxo Përnime” ka deklaruar se fajtori për çka ka shkuar Telekomi në Arbitrazh është te palët brenda kësaj ndërmarjeje dhe asaj të MVNO-së për mënyrën se si kanë bashkëpunuar.

Haxha tha se nuk kanë pasur partneritet të mirëfilltë, por siç tha ai “të sëmurë”.

“Me vendim të Arbitrazhit po pranohet saktë që qajo kontratë që e ka aprovu bordi i PTK-së ka qenë me afat dhe i ka skadu afati. Edhe vetë Devollët po e pranojnë që kontratës i ka skadu afati, mirëpo me licencë që e ka jap shteti ata kanë qenë obligues që pas asaj licence prapë me hy në kontratë të re me mirëbesim”, ka thënë ai. 

Rreth 30 milionë i ka humbur deri më tani Telekomi i Kosovës përballë kompanisë private “Dardafone.net” (“Z-Mobile”) në procese gjyqësore. Ndërkaq, më 18 mars, Telekomi i Kosovës njoftoi se Gjykata e Apelit ktheu në rigjykim rastin mes kësaj ndërmarrjeje dhe “Z-Mobile”.

Tutje në emision Haxha ka rrëfyer se ka qenë ai që kishte luftuar dukurinë e SIM-to-SIM e që për këtë ‘luftë’ thotë se ka pasur edhe kërcënime. 

“Unë i kam ndërpre komunikimet me Devollët, e kam ndalu Blerim Devollin të ketë komunikim me mua. Palët e tyre, ata e kanë punësu një staf tanin, kur e kam pyet mendova që është i Valës tha jo jam me këta [Devollët] i thash: jo s’ke të drejtë, çu dil jashtë. Ai e ka pasë të ndalume me hy në PTK”, tha ai. 

Ai tregon se rastin e kishte ngritur edhe te Prokuroria e EULEX-it e më pas edhe në Policinë e Kosovës, pasi kishte pretenduar se po i bëhej dëm ndërmarrjes.

“Kur ata kanë fillu me i shit numrat, i kanë shit me disa fatura dhe unë ua kam ndalu, se nuk guxon shitja me u bë në rrugë se numrat e tyre përfundonin në SIM-to-SIM dhe na dëmtonin neve. Gjysmë milioni në muaj është konstatu që është bërë dëm nga Monaco Telekomi duke marrë parasysh se ka pasur numër edhe të ‘Z-Mobile’ edhe të Telekomit por ka pasur edhe numra të IPKO-s, edhe i kam marrë dy policë bashkë me stafin brenda ka qenë një Business intelligence group që e kemi luftu, e kam shkatërru këtë dukuri dhe ka qenë krimi ekonomik më i madh mbi 20 milionë”, tha ai.

Historia mes Telekomit dhe “Z-Mobile”

Kontesti në mes të kompanisë “Dardafon.net” LLC dhe ndërmarrjes publike Telekomi i Kosovës zanafillën e ka në marrëveshjen e lidhur më datë 16 janar 2009. Marrëveshja parashihte që “Z-Mobile” të jetë operator virtual i telefonisë mobile “Vala”.

Mospajtimet në mes të dy palëve nisën kur “Z-Mobile” kërkoi numeracion shtesë, pra më shumë se 200 mijë numra sa i ishin ndarë në fillim.

Mospajtimet përfunduan në Arbitrazh. Në vitin 2015, “Z-Mobile” (“Dardafone.net”) iu drejtua Arbitrazhit pasi pretendonte se Telekomi i Kosovës po bënte shkelje të marrëveshjes pasi refuzonte t’i ndajë numra shtesë dhe të ofronte shërbime 3G dhe 4G.

Tribunali i Arbitrazhit pranë Odës Ekonomike Ndërkombëtare sipas padisë së kompanisë “Z-Mobile”, më 9 dhjetor 2016 vendosi në favor të kësaj kompanie.

Sipas vendimit të Arbitrazhit, Telekomi i Kosovës obligohej që t’i alokonte numeracion shtesë “Z-Mobile”-it, si dhe t’i ofronte shërbimet 3G dhe 4G.

E për dëmin e shkaktuar, Arbitrazhi e obligonte Telekomin që t’i paguante rreth 30 milionë euro gjobë në emër të shpërblimit të dëmit, fitimit të humbur dhe shpenzimeve të procedurës së Arbitrazhit.

Në maj të vitit 2017 Telekomi i Kosovës dhe operatori “Z-Mobile” kishin njoftuar se kishin arritur marrëveshje lidhur me vendimin e Arbitrazhit, i cili e obligonte Telekomin t’i paguante rreth 30 milionë euro dëmshpërblim operatorit “Z-Mobile”.