Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, Mimoza Kusari-Lila Foto: Ilirjana Hoti KALLXO.com/ 21.02.2024

Kusari-Lila tregon se kur pritet të përfundojë procesi për shkarkimin e kryetarëve në veri

Shefja e Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, të mbajtur më 21.02.2024, ka thënë se përfundimi i procesit për shkarkimin e katër kryetarëve ne veri të vendit pritet të ndodhë në përfundim të stinës së pranverës.

“Sipas afateve i bie që të jetë në përfundim të stinës së pranverës apo kah fundi i muajit maj apo qershor, për shkak se i kemi dy procese të tjera të cilat do të pasojnë deri te procesi zgjedhor final. E gjitha është tërësisht në dinamikën apo në rrjedhën e proceseve në komision”- ka thënë Kusari- Lila.

KQZ-ja, sipas saj, është ende në fazën e verifikimit të nënshkrimeve.

“Aktualisht KQZ, si organi i vetëm përgjegjës është duke bërë verifikimin e nënshkrimeve. Të gjitha fazat janë të parapara me rregulloren e cila tashmë është në fuqi nga Ministria e Administratës dhe Pushtetit Lokal dhe unë them se në momentin kur të ketë verifikim të mirëfilltë dhe final të nënshkrimeve, ato bëhen publike dhe pastaj caktohet një proces tjetër i cili është votimi i mosbesimit të kryetarëve, që i bie që katër komunat në veri të cilat duhet të kenë 50% plus 1 votë të qytetarëve me të drejtë vote. Pas verifikimit të tyre pastaj caktohen proceset zgjedhore”- përfundoi Kusari-Lila.

Ndryshe,  Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka marrë kërkesa për shkarkimin e kryetarëve të përkatësisë etnike shqiptare në komunat veriore që janë të banuara me shumicë serbe. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi për KALLXO.com tregon se kërkesat janë pranuar më 5 dhjetor përmes email-it dhe se KQZ-ja i ka njoftuar parashtruesit e kërkuesave që t’i drejtohen kryesuesit të Kuvendit Komunal si autoriteti kompetent në komunat përkatëse.

“Mund t’iu konfirmoj se shkresat të cilat i kemi pranuar më 5 dhjetor përmes e-mailit, janë shqyrtuar dhe u kemi kthyer përgjigje, me anë të të cilave i kemi njoftuar se sipas akteve nënligjore të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, kjo çështje duhet të adresohet tek Kryesuesi i Kuvendit Komunal në komunat përkatëse, andaj i kemi udhëzuar që kërkesat e dorëzuara në KQZ t’i adresojnë tek autoriteti kompetent”, pati deklaruar Elezi për KALLXO.com.

Më 18.01.2024 është organizuar mbledhja e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarit të Mitrovicës Veriore, Erden Atiq, ndërsa më 19.01.2024 është mbajtur mbledhja e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarit të Komunës së Zubin Potokun, Izmir Beqiri dhe kryetarit të Komunës së Zveqanit, Ilir Peci.

Pas largimit të përfaqësuesve të komunitetit serb nga institucionet e Kosovës, në komunat veriore me shumicë serbe u organizuan zgjedhje për kryetarë komunash dhe kuvende komunale. Këto zgjedhje u bojkotuan nga komuniteti serb.

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit 2023 për kryetarë të komunave, Lulzim Hetemi nga LVV u zgjodh kryetar i Komunës së Leposaviqit, Izmir Zeqiri nga PDK u zgjodh kryetar i Zubin Potokut, Ilir Peci i PDK-së u zgjodh kryetar i Zveqanit dhe Erden Atiq nga LVV u zgjodh kryetar i Mitrovicës së Veriut. Një pjesë e komunitetit ndërkombëtar nuk e ka parë si zgjidhje afatgjate zgjedhjen e kryetarëve shqiptarë në komunat veriore.