Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kusari-Lila kritikon Gjinin për qasjen ndaj fëmijëve të komuniteteve

Kandidatët për kryetar të komunës së Gjakovës që do të përballen në balotazh me 14 nëntor kanë treguar planet e tyre për Qendrën Transfer.

Kandidati Ardian Gjini nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë në #DebatPernime se në Qendrën për Transfer të Komunës së Gjakovës do të mbjellë gështenja, lajthi dhe arra në mënyrë që të fëmijët e komuniteteve t’i mbledhin këta fruta e të mos mbledhin plastikë e kanaçe për të siguruar ekzistencën.

“Te Qendra Transfer, ka qenë një gjendje e keqe, pjesa dërrmuese është pastruar dhe e kemi një marrëveshje që të gjitha gërmimet e dheut të kthehen në atë pjesë për shkak se me vite është kontaminuar. Më pas aty të mbillen me gështenja, lajthi dhe arra. Arsyeja e këtyre mbjelljeve është për shkak se fëmijët dhe familjet aty edhe sot e kësaj ditë e sigurojnë ekzistencën duke mbledhur plastikë dhe kanaçe dhe nëse kanë me u detyru edhe më pas me siguru në të njëjtën formë ekzistencën të mbledhin gështenja, lajthi dhe arra”, ka thënë Gjini.

Në anën tjetër kandidatja për kryetare të Gjakovës Mimoza Kusari – Lila nga Lëvizja Vetëvendosje ka kritikuar qasjen e Gjinit karshi familjeve të komuniteteve.

“Qasja ndaj pakicave të komunës së Gjakovës është me të vërtetë denigruese. Në vend se me thanë që kemi me investu në qendrën e komuniteteve dhe me iu ndihmu atyre fëmijëve me ardh në nivelin e fëmijëve të tjerë, me orë shtesë e detyra shtëpie, që në kohën time ka ndodhë me Qendrën në lagjen Ali Ibra”, ka thënë Kusari- Lila.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Gjakovës diskutojnë në #DebatPernime për balotazhin e 14 nëntorit.

Të ftuar në #DebatPernime janë kandidatët që kanë shkuar në balotazh në Gjakovë: Ardian Gjini nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Mimoza Kusari – Lila nga Lëvizja Vetëvendosje.

Sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së, kandidati i AAK-së  për kryetar të Gjakovës Ardian Gjini në rundin e parë të zgjedhjeve më 17 tetor ka marrë 18 mijë e  973 vota apo 45.76 për qind. Kurse kandidatja e LVV-së Mimoza Kusari – Lila ka siguruar 15 mijë e 426 vota apo  37.20 për qind.

Debati po transmetohet në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.