Albin Kurti dhe Nikolai Denkov, FOTO: ZKM

Kurti takon homologun bullgar në Slloveni

Në kuadër të Forumit të Bledit për Siguri që po mbahet në Slloveni, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim dypalësh me kryeministrin e Bullgarisë, Nikolai Denkov.

Sipas komunikatës së Zyrës së Kryeministrit, në takimin e parë dypalësh të tyre, kryeministri Kurti e falënderoi kryeministrin Denkov për mbështetjen e vazhdueshme të Bullgarisë ndaj Kosovës që nga viti 1999 e tutje, të gjitha fazat e shtetndërtimit, dhe përkrahjen në anëtarësimin e Kosovës nëpër organizata ndërkombëtare.

“Me homologun e tij bullgar, kryeministri Kurti foli për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy shteteve dhe optimizimin e potencialit të bashkëpunimit sidomos në fushën e ekonomisë” – thuhet në komunikatë.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, numri i investitorëve bullgarë në Kosovës është rreth 135, me fuqi investuese rreth 6 milionë euro e të shtrirë në disa sektorë, si ai i tregtisë dhe shërbimeve, turizmit, ndërtimtarisë, teknologjisë së informacionit dhe transportit.

“Përgjatë takimit, kryeministri Kurti gjithashtu e njoftoi kryeministrin Denkov edhe për progresin ekonomik dhe demokratik, arritjet kryesore të qeverisjes dhe reformat në fushën sundimit të ligjit dhe luftimit të korrupsionit, të cilat janë identifikuar dhe vlerësuar gjerësisht në raporte të besueshme ndërkombëtare.  Ai gjithashtu e ftoi atë për vizitë në Kosovë në një të ardhme të afërt” – thuhet tutje aty.

Pjesëmarrës në këtë takim ishin edhe ambasadori i Kosovës në Slloveni, Valdet Sadiku, kryetarja e Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme, Arbëresha Kryeziu – Hyseni dhe këshilltari politik i kryeministrit, Jeton Zulfaj.

Kryeministri Albin Kurti sot ishte pjesë e një paneli të diskutimit ku tha se janë duke punuar në aspektin bilateral e diplomatik me pesë shtetet që nuk e njohin Kosovën, për të bërë hapa përpara në këtë proces.

Kurti: Atmosfera me pesë vendet që nuk na njohin është më e mirë se më parë