Kurti: Atmosfera me pesë vendet që nuk na njohin është më e mirë se më parë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se janë duke punuar në aspektin bilateral e diplomatik me pesë shtetet që nuk e njohin Kosovën për të bërë hapa përpara në këtë proces.

Kurti në forumin e Bledit në Slloveni tha se atmosfera me këto vende është me mirë se që ka qenë më parë.

“Më 15 dhjetor dorëzova aplikimin zyrtar në Presidencën Ceke për anëtarësim. Pesë shtete nuk na njohin ende, Greqia, Qipro, Sllovakia, Romania dhe Spanja. Jemi duke punuar në aspektin bilateral, diplomatik. Atmosfera me këto vende është me e mirë se më parë. Ka ca hapa të vegjël, konkret, shpresoj të ndërrojnë qëndrimin e tyre”- tha Kurti.

Ai ka folur edhe për situatën e krijuar në veri të Kosovës, duke thënë se shpreson që do të ketë zgjedhje të reja.

“Na duhet shtensionimi. Për dy muaj në komunat veriore nuk ka pasur protestë. Kemi ulur dy herë nga 25 përqind policinë. Shpresoj të kemi zgjedhje të parakohshme në këto komuna. Shpresoj të kemi zgjedhje të drejta, zgjedhje demokratike, na duhet ndihma e bashkësisë ndërkombëtare”- tha Kurti.

Krahas Kurtit, në këtë panel ka marrë pjesë edhe Kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, Kryeministri i Bullgarisë, Nikolai Denkov, Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, Kryesuesja e Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, Borjana Kristo dhe Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.

Marrëdhëniet mes dy vendeve dhe marrëveshja për normalizim ka nxitur polemika mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe kryeministres së Serbisë, Ana Bernabiq në këtë panel.

Polemika mes Kurtit dhe Bernabiq në Slloveni