Kurti takon ambasadorin e BE-së në Kosovë, diskutohet për sulmin terrorist në Banjskë e procesin e Berlinit

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është takuar me Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, njëherësh Përfaqësues Special i BE-s, Tomas Szunyog.

Zyra e Kryeministrit përmes një komunikate bëri të ditur se temë diskutimi ishte sulmi terrorist i datës 24 shtator ndaj policisë së Kosovës si dhe procesi i Berlinit.

“Sulmi terrorist, paramilitar dhe kriminal i 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës, hetimet që po zhvillohen rreth synimeve dhe autorët e këtij sulmi, procesi i Berlinit në prag të samitit të radhës dhe përgatitjet e Raportit të Vendit, ishin temat kyçe të bisedës në takimin e sotëm” – thuhet në njoftimin e ZKM-së.

Tutje, në njoftim theksohet se ambasadori Szunyog i shprehu edhe një herë ngushëllime kryeministrit, familjes Bunjaku dhe popullit të Kosovës, për heroin e Kosovës, Afrim Bunjaku, rreshterin e Policisë i cili ra në detyrë, në mbrojtje të rendit, ligjshmërisë, kushtetutshmërisë, sovranitetit shtetëror dhe integritetit territorial.

“Ambasadori, më tej, e njoftoi kryeministrin Kurti për përgatitjet që Komisioni Evropian është duke i bërë në finalizimin e Raportit të Vendit për vitin 2023, i cili pritet të miratohet në pjesën e parë të muajit nëntor”- u tha më tej nga Zyra e Kryeministrit.