Foto: ZKM

Kurti takoi ambasadoren franceze, diskutuan për vështirësitë në sigurimin e vaksinave anti-COVID-19

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim ambasadoren e Republikës së Francës në Kosovë, Marie Christine Butel.

Sipas një njoftimi të ZKM-së, ambasadorja franceze dhe Kurti diskutuan edhe për situatën me pandeminë dhe për domosdonë e marrjes së masave të reja kundër COVID-19.

Tutje thuhet se kryeministri e ka njoftuar ambasadoren edhe për vështirësitë në sigurimin e vaksinave dhe citohet të ketë shprehur shpresën që partnerët ndërkombëtarë do të vazhdojnë të ndihmojnë Kosovën në tejkalimin e pandemisë.

Kurse, ambasadorja Butel e ka uruar kryeministrin Kurti për marrjen e detyrës dhe për përmbylljen me sukses të procesit të konstituimit të institucioneve të Republikës së Kosovës.

“Kryeministri Kurti ia shprehu falënderimet dhe mirënjohjen për letrën e urimit nga presidenti i Republikës së Francës, Emannuel Macron, dhe mbështetjen e ofruar”, theksohet në komunikatë.

“Franca është aleat i rëndësishëm i shtetit të Kosovës”, tha kryeministri Kurti.

Sipas ZKM-së, në takim u bisedua edhe për projektet dhe marrëveshjet në fusha të ndryshme të bashkëpunimit Francë-Kosovë dhe për të ardhmen e dialogut të Kosovës me Serbinë.

Kosova është vendi i fundit në rajon që ka nisur vaksinimin kundër COVID-19, pasi në fund të marsit pranoi vetëm 24 mijë doza të vaksinave.

Ende nuk dihet se kur mund të vijnë vaksina të tjera në Kosovë.