Kurti takohet me Kryesuesin e KGjK-së, flasin për funksionimin e Gjykatës në Mitrovicë të Veriut

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka pritur në takim Kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, pjesë e diskutimit kanë qenë disa çështje, përfshirë funksionimin e Gjykatës në Mitrovicë të Veriut.

“Temë ishin planifikimet e Këshillit Gjyqësor për efikasitetin dhe efektivitetin e sistemit gjyqësor, rezultatet e deritanishme të Gjykatës Komerciale pas funksionalizmit të saj, reformat në drejtësi dhe gjithashtu funksionimi i Gjykatës në Mitrovicën e Veriut”- thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Po ashtu është bërë e ditur se ata janë dakorduar për intensifikimin e bashkëpunimit rreth reformës në drejtësi, si dhe çështjeve të tjera, të cilat kanë të bëjnë me forcimin e sundimit të ligjit.

Në këtë takim, Kurti ishte i shoqëruar nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe zëvendësministri, Blerim Sallahu, ndërkaq nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, përveç kryesuesit, e pranishme ishte edhe anëtarja e KGjK-së, Drita Rexhaj.

Mungesa e stafit në sistemin e drejtësisë në veri të Kosovës ka bërë që dhjetëra lëndë nga Gjykata Themelore e Mitrovicës të shpërndahen në komuna të tjera të Kosovës.

Nëntorin e vitit të kaluar, qytetarët serbë kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre në institucione të ndryshme duke kundërshtuar një vendim të atëhershëm të Qeverisë së Kosovë për riregjistrimin e targave të veturave.