Foto: ZKM

Kurti takohet me diplomatin japonez, flasin edhe për veriun e policët e kidnapuar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti sot në takim të ngarkuarin me punë në Ambasadën e Japonisë në Kosovë, Keisuke Yamanaka.

Sipas njoftimit të zyrës së kryeministrit, Kurti e falënderoi Japoninë për mbështetjen dhënë Kosovës në sferën e politikës së jashtme, në rrafshin ekonomik, si dhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në fusha të tjera.

Përpos kësaj, në takim u tha se u bisedua për zhvillimet e fundit në vend dhe përkushtimin e institucioneve të Kosovës për depërshkallzim të situatës në veri të vendit.

“Kryeministri Kurti e njoftoi atë me propozimin dhe ndau me të dëshmitë e institucioneve të vendit që dokumentojnë se tre policët e kidnapuar nga forcat serbe ishin thellë në territor të Republikës së Kosovës” – ka thënë ZKM.

Tutje u tregua se Japonia mbetet partnere e rëndësishme e Kosovës, e cila ka ndihmuar vendin tonë në shumë projekte, veçanërisht në fushën e arsimit.

Foto: ZKM
Foto: ZKM