Kurti: Pozita ‘edhe - edhe’ e Serbisë është pozicion edhe me autokracinë edhe demokracinë

Deputetët e Kuvendit të Kosovës po diskutojnë rreth Rezolutës për mbështetjen e Ukrainës dhe popullit të saj në rezistencë ndaj agresionit rus.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka deklaruar se dënon edhe mos dënimin e Serbisë për mos vënien e sanksioneve ndaj Rusisë dhe se pozita e dyfishtë e shtetit serb është pozicion edhe me autokracinë edhe demokracinë.

“Pozicioni ‘edhe – edhe’ duke tentuar të luajë qendrën e dyfishtë edhe me Moskën edhe Brukselin, edhe me Uashingtonin edhe me Pekinin është pozicion edhe me autokracinë edhe demokracinë. Por ndaj agresionit rus dhe pushtimit të Ukrainës nuk mund të ketë neutralitet për vende kandidate për anëtarësim në BE kur e gjithë BE e sanksionon fuqishëm”, ka deklaruar Kurti.

Kurti tha se ka ngritur alarmin për Serbinë, e cila nuk është penduar për krimet e kaluara dhe mohon gjenocidin e masakrat.

“Ne kemi ngritur alarmin për fqinjin tonë agresiv i cili nuk është penduar për krimet e kaluara, mohon gjenocidin e masakrat e pastrimin etnik dhe i glorifikon kriminelët e luftës. Nuk na duhet asnjë provë për të ditur se çfarë sjellë një rrugë e tillë”, ka thënë ai.

Kryeministri ju bëri thirrje pesë shteteve mosnjohëse brenda Bashkimit Evropian që ta njohin realitetin dhe pavarësinë e Kosovës.

“U bëjmë thirrje pesë shteteve mosnjohëse brenda BE, Spanjës, Sllovakisë, Rumanisë, Greqisë dhe Qipros që të njohin këtë realitet e këtë të vërtetë duke njohur urgjentisht pavarësinë e Kosovës në mënyrë që të mos lejohet përdorimi i preteksteve false dhe analogjive të pa qëndrueshme për të nxitur ndarje e konflikte në Evropë”, ka deklaruar Kurti.

Ai bëri të ditur se do të aplikojë për anëtarësim në BE, në Këshill të Evropës si dhe do të kërkojë që Kosova të jetë pjesë e NATO-s.

“Vitin e kaluar bëmë të ditur se do të aplikojmë për anëtarësim në BE. Këtë proces do ta përshpejtojmë njëjtë siç do të përshpejtojmë aplikimin për anëtarësim në Këshill të Evropës dhe mekanizma të tjerë ndërkombëtarë. Njëkohësisht do të kërkojmë që Kosova të bëhet sa më shpejtë anëtare e NATO-s duke filluar së pari me partneritetin për paqe”, shtoi Kurti.

Tutje ai bëri të ditur se Kosova do të strehojë  20 gazetarë nga Ukraina dhe do të ju ofrojë qëndrim, siguri si dhe kushte për punë.

“Kemi marrë vendimin që të pranojmë 20 gazetarë nga Ukraina që edhe të ju ofrojmë qëndrim e siguri por edhe kushte për punë dhe sot së bashku po miratojmë këtë Rezolutë në institucionin më të lartë të Republikës sonë për të dënuar agresionin rus”, njoftoi Kurti.