Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kurti për dialogun Kosovë-Serbi: Njohja reciproke është në qendër

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot gjatë seancës së Kuvendit ku po debatohet për zhvillimet e dialogut Kosovë-Serbi ka thënë së njohja reciproke tashmë është në qendër të dialogut.

Kurti u është drejtuar opozitës “mos thoni njohja reciproke vjen në fund se i bëni dëm Kosovës, njohja reciproke është në qendër sepse ka ndodh zhvendosja prej kohës në hapësirë”, ka thënë Kurti.

Kurti tha se Kosova nuk është e varur nga njohja e Serbisë.

“Ne kemi dëshmuar që jo vetëm që shteti i Kosovës është i suksesshëm por në të njëjtën kohë nuk është i varur nga njohja e Serbisë. Nuk e kemi shpallur Pavarësinë që ta zëvendësojmë varësinë nga Serbia me varësinë nga njohja e saj”, ka thënë tutje kryeministri Kurti.

Ai tha se ka përfunduar koha kur Kosova bën kompromise në pritje të njohjes që vjen në fund.

“Pra ka marrë fund koha kur Kosova bën koncesione e kompromise në pritje të njohjes që na vjen në fund e që nuk vjen asnjëherë. 10 vite i kemi pasur të kornizuar në një mënyrë të tillë. Vitin e kaluar është bërë ndryshimi, jemi zhvendosur nga koha në hapësirë”, tha Kurti.

Kurti tutje shtoi se imazhi ndërkombëtar i Kosovës në raport me Serbinë kurrë nuk ka qenë me i favorshëm së sot.

“E keni gati një vit pa asnjë koncesion, prej vitit 2011 nuk ka pasur vite pa koncesione e kompromise, në vitin e kaluar kishim rritje ekonomike, kishim luftim krimi e korrupsioni dhe menaxhim të mirë të pandemisë”, tha ai.