Kurti nuk komenton bastisjen dhe arrestimet në MINT

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka pranuar të komentojë bastisjet dhe arrestimet që janë bërë sot në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT).

Kurti ka thënë se për këtë çështje ‘deklarohen gjatë ditës’.

“Unë ju ftoj të gjithëve që nga sot, me datë 18 gusht të aplikoni për masën e tretë për efiçiencë të energjisë, 45 ditë do të jetë thirrja e hapur, e tash ne e kemi një koktej modest aty, për masën e 3-të të energjisë për efiçiencë, për çështje të tjera jashtë efiçencës së energjisë që s’po interesojnë, deklarohemi sot gjatë ditës” – tha Kurti para gazetarëve pas hapjes së thirrjes për mbështetje për investim në pajisje eficiente.

Opozita e vendit ka kërkuar nga Kurti shkarkimin e ministres Rozeta Hajdari pas bastisjeve që Policia e Kosovës i bëri sot në këtë ministri.

Nga bastisjet e sotme, në pranga ka përfunduar Ridvan Muharremi dhe dy zyrtarë në MINT, nën dyshimet për keqpërdorim të rezervave shtetërore.

Muharremit i është bastisur banesa dhe një pronë tjetër e tij, për më shumë se dy orë nga Policia e Kosovës.

Dy zyrtarët e MINT, Hafiz Gara dhe Irfan Lipovica dëgjohen në disa audio-incizime të siguruara nga mediumi “Nacionale” duke thënë se vaji i paguar nga shteti i Kosovës nuk ka ardhur nga Polonia në Kosovë edhe pse për atë sasi shteti kishte paguar.

Afera në ministrinë e Rozeta Hajdarit, bastisje nga Njësitë Speciale