Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kurti nuk e komenton aktakuzën ndaj ministrit të Mjedisit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me arsyetimin se është në vendin e dëshmorëve në Gllogjan, ka refuzuar të flas lidhur me aktakuzën ndaj ministrit të Mjedisit, Liburn Aliu.

“Në vendin e dëshmorëve nuk mund të flasim për politikat e ditës”, ka thënë Kurti.

Në ditën kur Qeveria Kurti mori detyrën, u kuptua se ndaj ministrit Aliu është një aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare, për kohën sa ishte drejtor në Komunën e Prishtinës. Edhe pse ai u deklarua se nuk ka pasur njohuri për aktakuzën, Prokuroria Themelore në Prishtinë u shpreh se deklarimi i Aliut nuk qëndron.

Kurti bashkë me kabinetin e tij qeverisës sot nisi ditën me homazhe në Prekaz, për të vazhduar më pas me homazhe në Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Kombit”, në Gllogjan. RTV21