Foto: ZKM

Kurti në takim me Chollet: SHBA - partner dhe aleat i domosdoshëm i Kosovës

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë partner dhe aleat i domosdoshëm i Republikës së Kosovës.

Kështu ka deklaruar kryeministri Albin Kurti në takim me këshilltarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, sipas një komunikate të Qeverisë së Kosovës.

Kryeministri vuri theksin te synimet e Kosovës për partneritet edhe më të fuqishëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe integrim në NATO.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, në këtë takim u diskutua edhe për procesin e dialogut, planin evropian dhe për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“U theksua nevoja për angazhim aktiv dhe konstruktiv në dialog dhe për intensifikim të përpjekjeve drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohjen reciproke në qendër”- thuhet në komunikatë.

Në takim Chollet ishte i shoqëruar nga dërguari i posaçëm amerikan, Ndihmës Sekretari i Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Mbrojtës për Politika Evropiane dhe NATO, Spencer Boyer, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, Shefja e Stafit të Këshilltarit Chollet, Laura Updegrove, Ndihmësja e posaçme e Këshilltarit, Dr. Florence Akinyemi dhe Këshilltarja e Politike dhe Ekonomike në Ambasadën amerikane në Kosovë, Ralan Hill.

Kurse, kryeministri Kurti ishte i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ushtruesja e detyrës së kryesueses së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila, shefi i Stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi, këshilltari politik i kryeministrit, Jeton Zulfaj dhe zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.