Kurti mbërrin në Kroaci, viziton të lënduarit nga aksidenti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, rreth orës 20:00 ka mbërritur në Sllavonski Brod, ku shkoi me kryeministrin kroat, Andrej Plenkoviq për të vizituar të lënduarit e aksidentit të sotëm në këtë shtet, raportojnë mediat kroate.

Më herët, kryeministri kroat tha se dy qeveritë do të bëjnë gjithcka për t’u ndihmuar të lënduarve dhe familjeve të tyre.

Sot gjatë ditës është bërë e ditur se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është nisur për në Kroaci për të vizituar bashkatdhetarët e lënduar në aksidentin tragjik të mëngjesit të sotëm, të cilët po marrin trajtim mjekësor në spitalin e Sllavonski Brodit.

Sipas një njoftimi, së bashku me kryeministrin kanë udhëtuar edhe zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe shefi i Stafit të Kabinetit të Presidentes së Kosovës, Blerim Vela.

Dhjetë persona kanë mbetur të vdekur e mbi 40 të tjerë  të lënduar në aksidentin e një autobusi nga Kosova në Kroaci.

Aksidenti që ka ndodhur afër Sllavonski Brodit po udhëtonte nga Frankfurti drejt Prishtinës i mbushur me udhëtarë kosovarë që vinin drejt Kosovës për pushime.