Kurti: Mandati i qeverisë sime përfundoi, nuk ka nevojë për dorëheqje, kalojmë si qeveri në detyrë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se mandati i qeverisë që ai drejton ka përfunduar me 23.03.2025, mandatin e plotë.

Kurti thot se nuk ka nevojë për dorëheqje dhe se tani do të kalojnë të funksionojnë si qeveri në detyrë.

“Në përputhje me nenin 29, par. 1, nënpar. 1.4 të Ligjit Nr. 08/L-117 për Qeverinë e Republikës së Kosovës, mandati i secilit anëtar të Qeverisë po ashtu përfundoi më 23 mars, bashkë me përfundimin e mandatit të Qeverisë, pa pasur nevojë për aktin shtesë dhe formal të dorëheqjes prej posteve të tyre përkatëse sipas nënparagrafit 1.3 të po të njëjtit paragraf dhe nen.” – ka shkruar Kurti në Facebook.

“Me 23 mars 2025, mandati i plotë katërvjeçar i Qeverisë së Republikës së Kosovës, të udhëhequr nga unë si Kryeministër, përfundoi zyrtarisht dhe kaloi në fazën kalimtare të funksionimit si qeveri në detyrë, e cila efektivisht është sikur qeveria në dorëheqje e mandateve të mëhershme të të tjerëve. Kjo është hera e parë që një Qeveri e Republikës së Kosovës ka përfunduar me sukses mandatin e plotë kushtetues, duke shënuar një kapitull të ri të stabilitetit institucional në Republikën tonë demokratike.” – ka shkruar mes tjerash Kurti.

Postimi i plotë i kryeministrit Albin Kurti:

Të dashur qytetarë,

Me 23 mars 2025, mandati i plotë katërvjeçar i Qeverisë së Republikës së Kosovës, të udhëhequr nga unë si Kryeministër, përfundoi zyrtarisht dhe kaloi në fazën kalimtare të funksionimit si qeveri në detyrë, e cila efektivisht është sikur qeveria në dorëheqje e mandateve të mëhershme të të tjerëve. Kjo është hera e parë që një Qeveri e Republikës së Kosovës ka përfunduar me sukses mandatin e plotë kushtetues, duke shënuar një kapitull të ri të stabilitetit institucional në Republikën tonë demokratike.

Në përputhje me nenin 29, par. 1, nënpar. 1.4 të Ligjit Nr. 08/L-117 për Qeverinë e Republikës së Kosovës, mandati i secilit anëtar të Qeverisë po ashtu përfundoi më 23 mars, bashkë me përfundimin e mandatit të Qeverisë, pa pasur nevojë për aktin shtesë dhe formal të dorëheqjes prej posteve të tyre përkatëse sipas nënparagrafit 1.3 të po të njëjtit paragraf dhe nen.

Në këtë rast, Ligji parasheh që Qeveria dhe të gjithë anëtarët e saj vazhdojnë të kryejnë detyrat e tyre, duke respektuar plotësisht kufizimet e parashikuara nga neni 30 të Ligjit të lartcituar, si dhe kërkesat e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Deri në zgjedhjen e Qeverisë së re nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, Qeveria jonë (që në popull quhet Kurti 2) do të ushtrojë të gjitha përgjegjësitë që i takojnë pushtetit ekzekutiv në përputhje me legjislacionin në fuqi. Kjo e vendos Qeverinë në një rol kujdestar, për të garantuar vazhdimësinë, sigurinë dhe funksionimin e pandërprerë të shtetit, në zbatim të Kushtetutës dhe ligjeve.

Ju falemnderit për mbështetjen.