Albin Kurti

Kurti: Kontestimi i ligjeve në Kushtetuese, është përpjekje dëshpëruese për paralizim të reformave

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e sotme të Qeverisë ka folur për tre ligje të cilat janë miratuar në Qeveri e Kuvend, që më pas janë dërguar në Gjykatën Kushtetuese, për vlerësim të kushtetutshmërisë.

Kurti tha se për dy vite kanë dëshmuar vullnetin për të luftuar korrupsionin dhe për të bërë reforma në drejtësi e administratë publike.

“Po e themelojmë strukturën e strategjisë kundër korrupsionit. Kemi dëshmuar bindshëm vullnetin për të luftuar korrupsionin dhe për reforma në drejtësi dhe administratën publike. Kemi miratuar ligje që do të jetësonin reformat e programit tonë qeverisës. Ligji për Këshillin Prokurorial, Ligji për Zyrtarët Publik, dhe Ligji për Byronë që parasheh luftimin e korrupsionit janë disa prej këtyre”- deklaroi Kurti.

Kryeministri tha se këto ligje janë dërguar në Kushtetuese nga opozita, duke shtuar se për 15 vite, sipas tij, nuk mbahet mend që kaq shumë ligje të jenë kontestuar brenda një kohë të kaq të shkurtër.

“Jo për rastësi të tre këto ligje janë dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga opozita parlamentare. Ligji për KPK ka më shumë se gjashtë muaj që është në trajtim. Në historinë 15-vjeçare të Kosovës, nuk mbahet mend që kaq shumë ligje të jenë kontestuar brenda një kohe kaq të shkurtër. Kontestimi i tyre është përpjekje dëshpëruese për paralizim të reformave, është kundërshtim i nevojës qytetare dhe i vullnetit të 14 shkurtit 2021. Ecja jonë nuk do të ndalet”- tha Kurti.

Gjatë ditës së djeshme, Partia Demokratike e Kosovës njoftoi se ka dërguar Ligjin për Byronë Shtetërore për konfiskim të pasurisë së pajustifikueshme në Gjykatën Kushtetuese, për vlerësim të kushtetutshmërisë.

PDK gjithashtu ka dorëzuar Ligjin për zyrtarët publikë në Gjykatën Kushtetuese, në fund të dhjetorit 2022. Kjo parti ka paraqitur kërkesën për shqyrtimin e kushtetutshmërisë në katër nene të këtij ligji.

Ndërkaq1 korrik 2022, dy partitë opozitare, PDK dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e kanë dërguar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Këshillin Prokurorial duke kërkuar nga kjo e fundit interpretimin e ligjshmërinë së këtij ligji.