Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kurti kërkon që komuniteti ndërkombëtar të mbajë një qëndrim më të ashpër ndaj Serbisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po kërkon nga komuniteti ndërkombëtar që të mbajë një qëndrim më të ashpër ndaj Serbisë.

Sky News shkruan se Kurti shfaqet dukshëm i indinjuar dhe i frustruar teksa shprehet se Serbia po e mohon sepse po luan me librin e lojërave të Putinit në Donbas.

“Ata [Serbia] e mohojnë sepse po luajnë me librin e lojërave të Putinit në Donbas. Burra të veshur me të gjelbër në pjesën veriore të Kosovës. Jo pak, por njerëz të gjelbër që donin të fillonin një luftë dhe ta ndanin Kosovën”- ka thënë Kurti për Sky News.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian e kanë dënuar sulmin e armatosur, mirëpo kanë theksuar se janë në pritje të hetimit të plotë përpara se të marrin ndonjë vendim.

Më 24 shtator 2023 një sulm terrorist u krye në Banjskë të Zveçanit.

Afrim Bunjaku, rreshter i Policisë së Kosovës, u vra, një polic tjetër u plagos e një tjetër u lëndua nga ky sulm, ndërsa Policia u sulmua disa herë radhazi nga grupi terrorist deri sa këta të fundit ikën në drejtim të Serbisë.

Në ditën kritike Policia sekuestroi 24 automjete, dy autoblinda e arsenal të madh armatimi luftarak që i kishte grupi terrorist.

Sekuestrimi i armëve të tjera po vazhdon që nga 24 shtatori, të cilat janë braktisur nga grupi terrorist në Banjskë dhe në zonën përreth.

Tre persona nga ky grup u vranë e disa të tjerë u arrestuan. Trupat e tre të vrarëve iu dorëzuan më 30 shtator 2023 familjarëve të tyre, pas përfundimit të procedurave të nevojshme nga organet kompetente.

Është ish-nënkryetari i Listës Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë që ka edhe mbështetjen e Qeverisë serbe – Millan Radoiçiq, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin ndërsa ka dhënë dorëheqje nga posti në partinë që i përkiste.

Radoiçiq tha se të gjithë skenarin e kishte bërë vet dhe askujt nuk i kishte treguar. Këto pretendime i njëjti i bëri përmes një letre të cilën e lexoi të premten pasdite avokati i tij i autorizuar, Goran Petronijeviq.

Sulmin terrorist të 24 shtatorit e dënuan ashpër edhe ndërkombëtarët.