Kurti takohet me partnerët e koalicionit qeverisës, diskutojnë për zgjedhjet

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një darkë pune me partnerët e koalicionit qeverisës, përkatësisht me bashkëdrejtuesit e Partisë Guxo, Donika Gërvalla dhe Faton Pecim si dhe me kryetaren e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila.

Sipas një komunikate për media të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit, gjatë darkës është “zhvilluar një diskutim përmbajtësor mbi zhvillimet aktuale, arritjet dhe sfidat e përmbushjes së agjendës legjislative si dhe planet për të ardhmen, me fokus në agjendën legjislative në interes shtetëror dhe përtej vijave ndarëse politike”.

Në takim thuhet se u trajtuan edhe kërkesat dhe qëndrimet e opozitës aktuale në Kuvendin e Kosovës lidhur me procesin zgjedhor.

“Aty u theksua se duke qenë se legjislativi dhe qeverisja kanë arritur në vitin e katërt të mandatit, është e kuptueshme se procesi zgjedhor është çështje e muajve, por që dakordimi për hapat e mëtutjeshëm duhet të jetë në përputhje me vullnetin e qytetarëve të Republikës si dhe harmonizimin e plotë të kërkesës së partive opozitare karshi pozitës në Kuvend. Vetëm atëherë mund të trajtohen seriozisht nismat për diskutime të procesit të ri zgjedhor”- theksohet në komunikatë.

Në cilindo skenar, partnerët e koalicionit qeverisës, sipas kumtesës, janë shprehur të gatshëm dhe tërësisht të bindur se “vlerat e kultivuara të demokracisë dhe progresi i deritanishëm i Qeverisë do të vazhdojë bashkë me përcaktimin tonë për shtet demokratik të zhvilluar, me sundim të rendit dhe ligjit dhe për integrim në strukturat veri atlantike”.

Kryeministri Kurti, më 13.05.2024, ka zhvilluar një takim edhe me kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.

Në takimin tre orësh, nga Kurti dhe Krasniqi u konfirmua se temë e diskutimeve ishte edhe çështja e zgjedhjeve të reja.

I pari që doli para mediave ishte kryetari i PDK-së, i cili tha se në takim i ka shprehur kryeministrit Kurti domosdoshmërinë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Ai theksoi se është i gatshëm të gjejë një dakordim me të gjitha partitë për një datë të re të zgjedhjeve dhe për të shpërndarë Kuvendin përmes një mocioni të përbashkët.

Ndërsa, Kurti tha se është i interesuar që ta diskutojë edhe me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, se cila është stina më e përshtatshme për zgjedhjet. Kreu i ekzekutivit theksoi se i ka ftuar të gjitha partitë sonte më 13.05.2024, dhe se do të insistojë të takohet edhe me pjesën tjetër të opozitës.

Këto deklarata ngjallën edhe reagime të dy partive opozitare, AAK dhe LDK.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se partia e tij do e mbështeste shpërndarjen e Kuvendit vetëm pas dorëheqjes apo shkarkimit të Kurtit.

Edhe LDK, në një komunikatë për media u shpreh se është e gatshme për zgjedhje të parakohshme në Kosovë, por ata kërkojnë fillimisht dorëheqjen e kryeministrit Kurti dhe pastaj shpërbërjen e Kuvendit të Kosovës.

Më 14.02.2021, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje së bashku me Listën ‘GUXO’ fituan mbi 50% të votave.

Këto zgjedhje e nxorën bindshëm fituese Lëvizjen Vetëvendosje me 50,28 % të votave, më pas Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) me 17,00 % të votave, kurse Lidhjen Demokratike të Kosovës me 12,731 të votave.

Qeveria e Kosovës u votua më 22.03.2021 në Kuvendin e Kosovës, me 67 vota për, 30 kundër dhe asnjë abstenim, ndërsa ekzekutivi që drejton Albin Kurti ka tre zëvendëskryeministra dhe 15 ministri.