ARKIV Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka takuar shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog dhe ambasadorët e vendeve të Quint-it. Foto: ZKM

Kurti jep detaje se çfarë u diskutua në takimin me ambasadorët e QUINT

Kryeministri Albin Kurti para se të shkonte në seancë për të raportuar për kidnapimin e tre policëve, ka zhvilluar një takim me ambasadoret e vendeve të QUIN-it në Kosovë.

Ai tha se në takim ka shprehur “protestën” e tij pse ende nuk ka një deklaratë shpjeguese nga KFOR-i.

“Këtu po vij nga një takim i përbashkët me të gjithë ambasadorët, zëvendës-ambasadorët ku gjerë e gjatë ua kemi shpjeguar për ditën e djeshme e të sotshme. Tash kur po bëhen 30 orë të kidnapimit të tre Policëve e ende nuk e kemi deklaratë zyrtare shpjeguese të KFOR-it, unë kam shprehur protestën time për këtë heshtje por edhe kërkesën për reagim urgjent” – ka thënë Kurti në seancën e Kuvendit.

Ai tutje tha se mbrëmë ka pasur një bisedë telefonike me emisarin amerikan Gabriel Escobar dhe ambasadorin amerikan Jeffrey Hovenier.

Njoftimi i Kurtit për të raportuar në Kuvend vjen pas kërkesave të partive opozitare PDK, LDK dhe AKK, të cilët kërkuan që kryeministri të raportojë sot për situatën e krijuar në vend.

Policia e Kosovës ka konfirmuar të mërkurën se tre zyrtarë policorë kufitarë patrullues janë siç thonë ata kidnapuar nga forcat serbe.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot tha se organet e sigurisë kanë rritur nivelin e gatishmërisë, pas rrëmbimit të tre zyrtarëve policor dje në kufirin Kosovë-Serbi, në Leposaviq.

Kurti, pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Sigurisë tha se janë rritur kontrollet gjithashtu në pikë-kalimet kufitare me Serbinë.

Ai ka thënë se rasti i kidnapimit të tre policëve të Policisë së Kosovës dhe arrestimit të Millun Millenkoviq i njohur si Llune, nuk mund të krahasohen.

Millun Millenkoviq i njohur si Llune u arrestua të martën nga zyrtarët e Njësisë Speciale Intervenuese të Policisë së Kosovës në sheshin ‘Car Llazar’ në Mitrovicën e Veriut.