Kurti: Jemi duke e përgatitur ligjin për paga që nuk do të jetë në kundërshtim me Kushtetutën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se janë duke i përgatitur për një ligj për pagat i cili nuk bie ndesh as me infrastrukturën e përgjithshme legjislative, as në kundërshti me Kushtetutën dhe aktgjykimin përkatës të Gjykatës Kushtetuese.

Këtë deklaratë Kurti e bëri gjatë konferencës së përbashkët me Ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, duke shtuar se janë duke u angazhuar për këtë gjë.

“Nuk është e kollajshme të hartohet, të përpilohet mirë dhe shpejtë një projektligj i tillë. Ne tashmë jemi duke u angazhuar për këtë gjë. Përgjithësisht është besimi ynë që në një shtet në një shoqëri rritja e pagave kurrsesi nuk duhet të ndjek arbitraritete politike të qeverive aktuale, por, produktivitetin brenda rritjes ekonomike. Në një shtet në një shoqëri pagat rriten duke e ndjekur rritjen e produktivitetit brenda rritjes ekonomike. Kjo ka qenë gabim në qeveritë e më hershme sepse nuk është përfillur”, tha Kurti.

Kurti ka përmendur qeveritë e kaluara të cilat sipas tij i kanë rritur pagat me premtime elektorale që pastaj sipas tij i kanë përmbushur pjesërisht ose aspak.

“Me premtime elektorale janë përpjekur ti rrisin pagat mirëpo ekonomia nuk funksionon asisoj. Me neve në muajt dhe vitet në vijim rritja e pagave do ta ndjek rritjen e produktivitetit brenda rritjes ekonomike”, u shpreh Kurti.

Në qershor të vitit 2020 Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka shfuqizuar Ligjin për pagat.

Sipas Gjykatës, Ligji për Pagat në Sektorin Publik, në tërësinë e tij, nuk është në përputhshmëri me Kushtetutën.

Më 6 dhjetor 2019, Ligjin për Paga në Gjykatën Kushtetuese e kishte dërguar Avokati i Popullit për vlerësimin e përputhshmërisë së tij me Kushtetutën.

Ligji për paga ishte miratuar në muajin shkurt të atij viti.