Foto: ZKM

Kurti i gëzohet kalimit të hapit të parafundit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Europës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i është gëzuar lajmit për kalimin e hapit tjetër drejt anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës.

“Asambleja Parlamentare i thotë PO Kosovës. Jemi edhe një hap më afër dhe vetëm një hap larg anëtarësimit në Këshillin e Evropës” – ka shkruar Kurti në Facebook.

Ai ka thënë se nga anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Europës fiton demokracia, sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut e se me Kosovën aty, Këshilli i Europës fiton një demokraci të re e të gjallë, ku sundon ligji e respektohen të drejtat e njeriut.

“Faleminderit të gjithëve. Urime të gjithëve!” – ka thënë Kryeministri.

“Faza e radhës dhe e fundit që na pret është ministeriali në muajin maj. Meqenëse që nga viti 1951, Komiteti i Ministrave nuk ka marrë vendim ndryshe nga Opinioni i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, besojmë që edhe faza e ardhshme do të përmbyllet me sukses. Megjithatë, puna jonë do të vazhdojë” – ka shtuar ai.

Kosovës i ka mbetur vetëm edhe një hap për të arritur të bëhet anëtare e Këshillit të Europës (KE).

Në Asamblenë Parlamentare sot, më 16.04.2024, Kosova ka arritur të sigurojë votat e mjaftueshme nga delegatët e shteteve anëtare të këtij mekanizmi ndërkombëtar, raporton gazetarja e Kallxo.com që ndodhet në Këshillin e Europës.

Këta delegatë kanë miratuar raport-opinionin e raportueses për Kosovë, Dora Bakoyannis në të cilin rekomandohet që Kosova të ftohet për anëtarësim në KiE.

2/3 e votave do i duhen Kosovës edhe në hapin e fundit dhe përfundimtar në ministeralin që pritet të mbahet në maj nga votat që do të hudhin ministrat e jashtëm të shteteve anëtare.