Kurti: Gazetaria e Kosovës i shërben demokracisë dhe transparencës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka dënuar sulmet ndaj gazetarëve që kanë ndodhur sot në Leposaviq.

Kurti përmes një postimi në Facebook ka thënë se sot në Leposaviq nga bandat kriminale janë sulmuar gazetarët që ishin të pranishëm.

“Grupe ekstremistësh të kontrolluara nga Beogradi nuk e durojnë dot as policinë e as gazetarët. Policia e Kosovës i shërben drejtësisë dhe ligjit, gazetaria e Kosovës i shërben demokracisë dhe transparencës” – ka thënë Kurti.

Ai ka përmendur se kameramani Bardh Bekteshi dhe gazetarja Dorentina Thaqi, kanë pësuar lëndime në kokë dhe trup. Kameramanët tjerë, Albin Rrahmani dhe Ardijan Shala kanë pësuar lëndime në trup.

Tutje ka theksuar se në këmbë janë lënduar gazetaret, Laura Kerolli e Qendresa Sinani, kurse në krah ka marrë lëndime gazetari Pleurat Salihu.

Kreu i Qeverisë u ka uruar shërim të shpejtë gazetarëve dhe kameramanëve që kanë pësuar lëndime.

“Urojmë shërim të shpejtë për kameramanët dhe gazetarët. Ftojmë institucionet dhe diplomatët ndërkombëtarë të mbajnë qëndrim, dhe të mbështesin institucionet e Kosovës që të sjellin para drejtësisë të gjithë sulmuesit e Policisë së Kosovës, KFOR-it e sidomos gazetarëve”-ka shkruar Kurti.

Policia e Kosovës ka njoftuar se nëntë gazetarë në Leposaviq janë sulmuar dhe se disa prej tyre përveç shqetësimeve kanë pësuar edhe lëndime të ndryshme trupore, si dhe kanë pranuar tretman mjekësor.

Sipas Policisë, ekipeve të mediave iu janë dëmtuar pajisje të ndryshme të xhirimeve, ku njërit prej tyre iu është grabitur kamera zyrtare e mediumit, përderisa tjetrit, thuhet se iu është grabitur një telefon celular.

RTV Dukagjini ka siguruar pamje gjatë kohës kur ndodhte sulmi ndaj gazetarëve.

Gjatë kohës kur gazetarët vraponin për t’iu larguar rrezikut, në video shihen ushtarët e KFOR-it që ua zënë rrugën gazetarëve duke i penguar ata që të largohen.

Gjithashtu edhe AGK reagoi duke kërkuar nga KFOR që të “paktën” mos t’i pengojnë gazetarët në raportim.