Momenti kur gazetarët sulmohen fizikisht nga persona të maskuar në Leposaviq, 16.06.2023

74 raste të kërcënimeve e sulmeve ndaj gazetarëve në vitin 2023 janë raportuar në AGK

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka njoftuar se gjatë vitit 2023 ka pranuar 74 raste të kërcënimeve e sulmeve ndaj gazetarëve e mediave.

Sipas njoftimit të AGK, disa prej këtyre rasteve janë shënuar gjatë raportimit të gazetarëve e medieve në veri të Kosovës.

‘’Në këto 74 raste, 30 raste janë shënuar përgjatë raportimit të gazetarëve dhe medieve në veriun e Republikës së Kosovës, teksa pjesa tjetër e rasteve është raportuar nga terrene të ndryshme’’ – thuhet në njoftimin e AGK.

Prej këtyre rasteve, AGK ka publikuar një statistikë, sipas së cilës flitet se kanë qenë 11 gazetare, 17 gazetarë dhe 45 gazetarë në grup të cilët janë sulmuar apo kërcënuar.

Tutje, AGK u bënë thirrje medieve që të mos hezitojnë për t’i raportuar rastet e kërcënimeve dhe sulmeve ndaj tyre, pasi që vetëm në këtë mënyrë përgjegjësit e këtyre veprimeve mund të përballen me drejtësinë.

‘’Njëherësh, AGK-ja, u bënë thirrje Policisë, Prokurorisë dhe Gjykatave të Republikës së Kosovës, që të mos i neglizhojnë rastet e gazetarëve e medieve, por që t’i trajtojnë ato me prioritet në mënyrë që personi/at të mbahet/n përgjegjës për veprimet e tyre’’ – ka thënë AGK.

Në qershor të këtij viti gazetarët janë ballafaquar me protestat dhe sulmet në veri të Kosovës nga disa qytetarë serbë lokalë, të cilët kanë kundërshtuar vendosjen e kryetarëve të zgjedhur në objektet komunale.

Në drejtim të gazetarëve protestuesit kishin gjuajtur me gurë, disa vetura të medieve ishin dëmtuar dhe po ashtu ishin dëmtuar edhe pajisje të ndryshme të xhirimeve.

Më 16 qershor në Leposaviq, janë sulmuar 9 gazetarë. Prej tyre, persona të maskuar e kanë sulmuar gazetarin Pleurat Salihu, i cili kishte përfunduar me krahun e thyer.

Një kameraman i Radiotelevizionit të Kosovës ishte sulmuar fizikisht dhe kishte pësuar lëndime në kokë dhe trup.

Pas këtyre sulmeve kishte pasur reagime nga kryeministri Albin Kurti, kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca dhe Qendra Europiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF).