Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Foto: ZKM
Kurti e rikonfirmon përkushtimin e Qeverisë ndaj të drejtave të njeriut
Kryeministri Albin Kurti e ka rikonfirmuar përkushtimin e Qeverisë së Kosovës ndaj Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut.
Ky rikonfirmim i Kurtit vjen në shënimin e 75-vjetorit të miratimit të kësaj Deklarate dhe njëherit Ditën e të drejtave të njeriut.
‘’Në 75-vjetorin e DUDNJ-së, Republika e Kosovës rikonfirmon përkushtimin e saj ndaj Deklaratës, të parashikuar shprehimisht në Kushtetutën tonë. Ne vazhdojmë të punojmë pa u lodhur – sot dhe çdo ditë – për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat e të gjithëve, pa përjashtim dhe pa diskriminim’’ – ka shkruar kryeministri Kurti, në platformën X.
Ndërsa, gjatë ditës kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, për këtë përvjetor të DUDNj-së, ka thënë se Kosova është ndërtuar nën hijen e mohimit të të drejtave të njeriut.
Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut është miratuar më 10 dhjetor 1948 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, andaj sot shënohet Dita e të drejtave të njeriut.