Haradinaj: Kosova është ndërtuar nën hijen e mohimit të të drejtave të njeriut

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova është ndërtuar nën hijen e mohimit të të drejtave të njeriut.

Haradinaj u deklarua kështu me rastin e 75-vjetorit të miratimit të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut.

”Kosova është ndërtuar nën hijen e mohimit të të drejtave të njeriut, dhe padyshim kujtojmë mbështetjen e miqve tanë në NATO në krye me ShBA që dënuan shkeljen e të drejtave ndaj popullit tonë” – ka shkruar Haradinaj në llogarinë e tij në Facebook.

“Për ne si vend, kjo datë është një kujtim i rëndësishëm, pasi përjetuam cenime serioze të të drejtave tona nga sisteme autoritare dhe okupatore. Edhe sot, pas 15 vitesh nga pavarësia dhe afër 25 vjetësh prej çlirimit, jemi të përkushtuar për mbrojtjen e këtyre vlerave për të siguruar që dinjiteti i çdo qenie njerëzore është i paprekshëm”.