Foto: Arben Taravari, Facebook

Kurti e Rama takohen me kryetarin e Aleancës Shqiptare, Arben Taravari

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ai i Shqipërisë, Edi Rama, janë takuar sot me kryetarin e Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari.

Taravari ka publikuar një fotografi të takimit në Facebook, ndërsa ka shkruar “Kohë të Mira! Drejt Evropës”.

Kurti dhe Rama po qëndrojnë në Shkup në kuadër të takimit që kanë zhvilluar liderët e Ballkanit Perëndimor.

Në nëntor te vitit 2023, kryeministri i vendit, Albin Kurti, kishte zhvilluar në Prishtinë një takim me kryetarin e Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari dhe deputetin nga radhët e këtij subjekti, Halil Snopçe.

Partia në pushtet në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje, do të jetë pjesë e koalicionit të opozitës shqiptare në Maqedoninë e Veriut, që njihet me emrin Lidhja Evropiane për Ndryshim (LEN).

Kjo u bë e ditur më 24 dhjetor gjatë një ceremonie për hapjen e zyrave të opozitës në Shkup, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje.

Zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut do të mbahen më 8 maj 2024, së bashku me rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Rundi i parë për zgjedhjen e presidentit e vendit do të zhvillohet më 24 prill.

Njëqind ditë para zgjedhjeve, ose më 28 janar, do të formohet një qeveri teknike e kryesuar nga një kryeministër shqiptar, i cili do të propozohet nga partia Bashkimi Demokratik për Integrim, që drejtohet nga Ali Ahmeti.