Kurti e Osmani për Madeleine Albright: I dhamë lamtumirën e fundit personit që bëri shumë për popullin tonë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti morën pjesë në ceremoninë mortore të ish-Sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, në Washington.

Osmani u shpreh se sot i dhanë lamtumirën e fundit mikes së madhe dhe zërit të popullit të Kosovës.

Ajo u shpreh falënderuese për kontributin që kishte dhënë Albright për t’i dhënë fund gjenocidit në Kosovë.

“Sot, në Washington D.C., i dhamë lamtumirën e fundit mikes së madhe të Kosovës, gardianes së lirisë e demokracisë dhe zërit të fuqishëm të popullit tonë, Madeleine Albright”, u shpreh Osmani.

“Jemi përgjithmonë falënderues për kontributin e jashtëzakonshëm të sekretares Albright për t’i dhënë fund gjenocidit serb në Kosovë, si dhe mbështetjes së saj të vazhdueshme për Kosovën e lirë, të pavarur, të zhvilluar e me vendin e merituar në arenën ndërkombëtare”, shtoi me tej presidentja.

Osmani potencoi se miqësinë me Amerikën e kemi të përjetshme.

Kryeministri Kurti po ashtu përmes rrjetit Twitter shkroi se sot i dhanë lamtumirën e fundit një personi që ka bërë shumë për  lirinë e popullit tonë.

“Sot, bashke me presidenten Vjosa Osmani mora pjesë në funeralin e Madeleine Albright në katedralen kombëtare në Washington. Ne i dhamë lamtumirën e fundit një personi që ka bërë shumë për popullin e lirinë tonë dhe për paqe”, shkroi Kurti.