Takimi i 18 gushtit ndërmjet kryeministrit të Republikës së Kosovës Albin Kurti me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian

Kurti dhe Vuçiq pritet të takohen të hënën në Bruksel

Takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pritet të zhvillohet të hënën, më 21 nëntor, ka mësuar Radio Evropa e Lirë nga burimet e saj diplomatike.

Ftesa për një takim mes Kurtit dhe Vuçiqit ishte konfirmuar të premten nga zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano. Por data e takimit nuk ishte përcaktuar.

“Ne i kemi ftuar presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Kurti të vinë në Bruksel për një takim të nivelit të lartë dhe ne shpresojmë që ky takim do të ndodhë shumë shpejtë. Ne i ftuam të dy palët për shkak të urgjencës për të gjetur një zgjedhje evropiane për situatën aktuale, e cila është një nga situatat në serioze që e kemi parë që nga 2013-të dhe ky është qëllimi t’i kemi ata, të diskutojmë dhe të gjejmë rrugën për të dalë nga kjo situatë” – thuhej në njoftimin e BE-së përmes zëdhënësit të saj, Peter Stano.

Takimi mes palëve pritet të ndodhë në ditën kur sipas planit të Qeverisë parashihet të nis zbatimi i fazës së dytë për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe, e cila parasheh gjobë prej 150 euro.

Takimi i fundit i nivelit të lartë mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb, Vuçiq ka qenë ai i datës 18 gusht.

Deri më tani në nivel të lartë, me ndërmjetësimin e BE-së, Kurti dhe Vuçiq janë takuar vetëm 3 herë.

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se është i gatshëm për takime, sa herë që ftohen nga BE.

Aktualisht Kosova po përballet më një situatë ku serbët në veri kanë vendosur të largohen nga institucionet e Kosovës për të kundërshtuar vendimin e qeverisë për konvertimin e targave nga ato ilegale në RKS.

BE dhe SHBA kanë propozuar shtyrjen për 10 muaj të këtij vendimi, mirëpo qeveria ka bërë vetëm shkallëzimin e tij.

Sipas vendimit të qeverisë, duke filluar nga data 1 nëntor deri më 21 nëntor, masa do të jetë ajo e qortimit. Pastaj, nga 21 nëntori, për dy muaj deri më 21 janar do të jetë masa e gjobitjes dhe më pastaj nga 21 janari do të jenë targat provuese për dy muaj të tjerë, dhe nga  21 prilli nuk mund të ketë më targa ilegale.