Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias. Foto: ZKM

Kurti dhe Dendias në drekë punë, theksojnë raportet e shkëlqyeshme mes Kosovës dhe Greqisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në një drekë pune ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias.

Në këtë drekë është biseduar për mundësitë e thellimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Greqisë, ndërsa janë theksuar raportet e shkëlqyeshme ekzistuese ndërmjet të dy vendeve.

Sipas njoftimit, kryeministri Kurti ka theksuar perspektivën evropiane të vendit, si dhe aspiratat e Kosovës për integrimin e mëtutjeshëm në organizata ndërkombëtare.

“Poashtu, u bisedua për çështjet aktuale, zhvillimet rajonale, si dhe perspektivën zhvillimore dhe integruese të Ballkanit Perëndimor”- thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias, sot u takua edhe me homologen Donika Gërvalla.

Në një konferencë për media, Dendias tha se marrëveshjet të cilat janë arritur deri më tani në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi duhet të zbatohen.

Ai tregoi edhe për temat e diskutimit në takimin me ministren Gërvalla.

“Nëse mund të them, në analizat tona BE është destinacioni final për gjithë Ballkanin Perëndimor. Biseduam për bashkëpunimin në aspektin energjetik dhe kjo është e rëndësishme pas invazionit rus në Ukrainë, që të jeni të pavarur në fushën e energjisë dhe të largoheni nga thëngjilli” – tha ai para gazetarëve në Prishtinë.

“Është e rëndësishme nga të dy palët që të zbatojnë çdo gjë që është arritur deri më tani. Ky ishte mesazhi im edhe në Beograd. Ne e mbështesin rolin e EULEX-it dhe përfaqësuesin e lartë të BE, Lajçak, dhe përfaqësuesin amerikan, Escobar. Synimi ynë është që rrugëtimi i Ballkanit drejt BE-së të jetë një kahëshe” – deklaroi kryediplomati grek.

Në anën tjetër, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, tha se pret bashkëpunim dhe mbështetje nga shteti grek.

Ministri i Jashtëm grek për dialogun Kosovë-Serbi: Të zbatohet çdo gjë që është arritur deri më tani