Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla dhe ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias, në konferencë për media

Ministri i Jashtëm grek për dialogun Kosovë-Serbi: Të zbatohet çdo gjë që është arritur deri më tani

Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias, qëndroi sot në Kosovë në një vizitë zyrtare pasi vizitoi kryqytendrat në Shqipëri dhe Serbi.

Në një konferencë me nikoqiren, Donika Gërvalla, ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Dendias tha se marrëveshjet të cilat janë arritur deri më tani në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, duhet të zbatohen.

Ai tregoi edhe për temat e diskutimit në takimin me ministren Gërvalla.

“Nëse mund të them, në analizat tona BE është destinacioni final për gjithë Ballkanin Perëndimor. Biseduam për bashkëpunimin në aspektin energjetik dhe kjo është e rëndësishme pas invazionit rus në Ukrainë, që të jeni të pavarur në fushën e energjisë dhe të largoheni nga thëngjilli” – tha ai para gazetarëve në Prishtinë.

“Është e rëndësishme nga të dy palët që të zbatojnë çdo gjë që është arritur deri më tani. Ky ishte mesazhi im edhe në Beograd. Ne e mbështesin rolin e EULEX-it dhe përfaqësuesin e lartë të BE, Lajçak, dhe përfaqësuesin amerikan, Escobar. Synimi ynë është që rrugëtimi i Ballkanit drejt BE-së të jetë një kahëshe” – deklaroi kryediplomati grek.

Në anën tjetër, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, tha se pret bashkëpunim dhe mbështetje nga shteti grek.

“Është ministri i jashtëm me frekuencën më të lartë të vizitave në Kosovë. Është një aktor me përvojë të madhe në politikë në rajon. Republika helene dhe e Kosovës në politikën e jashtme janë në një vijë, NATO dhe BE dhe qëndrim i njëjtë në lidhje me luftën e Ukrainës. Ishte një takim në vazhdën e takimeve me tema të ndryshme. Diskutuam për ekonominë, për bashkëpunimin, anëtarësimin   e Kosovës në BE dhe KE (Këshillin e Evropës). Kosova ka aplikuar këtë vit në të dyja dhe është rrugën e saj drejt NATO-s. Të veçantë e bën Kosovën se e ka popullin më pro BE dhe më pro ShBA” – tha ajo.