Ismajl Kurteshi - Foto: Facebook
Kurteshi për vendimin e kryetarit të Gjilanit: Unë përkrahi vendime që janë sipas ligjit dhe jam kundër atyre që nuk janë bazë ligjit
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka nxjerrë vendim që për muajin e Ramazanit, të gjithë zyrtarët që agjërojnë të punojnë një orë më pak.
Vendimi i cili do të rishikohet nga Ministria e Administrimit dhe Pushtetit lokal ka hyrë në fuqi nga 24 marsi.
Ismajl Kurteshi, asamblist nga Lëvizja Vetëvendosja në Gjilan tha se nuk e di nëse kryetari Hyseni është konsultuar paraprakisht apo jo me dikë për këtë vendim.
Ai tha shkurt për KALLXO.com se nuk përkrah vendimet të cilat nuk janë në përputhje me ligjin.
“Unë personalisht e përkrahi çdo vendim që është në përputhje me ligjin dhe jam kundër vendimeve që nuk janë në përputhje me ligjin, ky është qëndrimi im i përhershëm, jetësor”- tha Kurteshi për KALLXO.com
Vendimi i kryetarit të Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, për zvogëlimin e orarit të punës për një orë për zyrtarët që agjërojnë është arsyetuar si ‘lehtësirë’ nga këshilltari për media, Besart Selimi.
Në një prononcim për KALLXO.com, Selimi ka thënë se një vendim i tillë ka qenë iniciativë vetë kryetarit dhe jo ndonjë kërkesë nga ndonjë drejtori.